Vlora Konushevci: Mbi shiritin e vrapimit

përkthimin vlora konushevci alternative war

Prej katit t’nandë e shoh sa egër thehet qielli
n’Prishtinë sikurse përhumbja mbi shiritin e vrapimit
prej hapave t’mllefosun që s’çojnë kurrkund. Tingujt e kangës:
“Boulevard of Broken Dreams” përzihen me lehje qensh
t’braktisun e t’hutuem që kurrë s’po mbërrijnë për ku janë nis
aq ma pak me u kthy ku janë kanë.

A mbërrin najherë najkush najkund?!

Njerëzit kishin nis me i vjerr kujtimet nëpër degë se kujtesën
e kishin pas tkurrë me uthull përditë derisa asht ba e vogël
sa nji kokërr misri. Degët ishin pas randu e kishin nis me
u thy. Drunjtë i kishin pas nxjerrë rranjtë prej dheut dhe kishin ikë.
Sot rendi i gjatë i ngrehinave ku jetojnë shpirtra t’braktisun e t’hutuem
që kurrë s’mbërrijnë kurrkund ia ka zanë vendin drunjve.

A mbërrin najherë najkush najkund?!

Po, më thotë gjyshja prej fotografisë në kornizë, më shikon drejt n’sy,
do me m’siguru që po ma njeh dhimtën. Fëmijët mbërrijnë,
mbërrijnë me ikë se shpirtat e braktisun rranjë nuk mujnë me lëshu.
Dheu ma nuk rri n’tokë asht mbyllë n’odë mos me rrokë as shi as borë.
Ndonjiherë e përmallohet e çel derën, çohet e del i mbledh
copat e gazetave t’harrume sa me u çmallë.

Ndoshta kurrkush s’mbërrin kurrkund,
ndoshta kështu shuhet bota, pikërisht
këtu mbi shiritin e vrapimin në katin e nandë
tue këndu “Boulevard of Broken Dreams”.

ObserverKult


Lexo edhe:


VLORA KONUSHEVCI: KPUCTË E REJA