Vrasja e tjetrit

Mërgim Bekteshi

Nga: Mërgim Bekteshi

Për shumë shekuj, vrasja e njeriut ka qenë jo vetëm objekt dhe subjekt studimi për  drejtësinë, por me të janë marrë edhe filozofët, sociologët, psikologët, shkrimtarët, për shembull  Dostojevski e shumë të tjerë, duke vënë tezat e ndryshme shkencore e disa prej tyre duke shkuar edhe më larg, duke bërë ndarjen e njeriut nga kafsha, pra nga veprimet impulsive të reagimit. Por, si është “Jeta” e njeriut në ditët e sotme? Është e mbrojtur edhe me ligjet më të avancuara, megjithatë, përkundër të gjitha këtyre, vrasja e njeriut dhe motivet e ndryshme që çojnë deri te vrasja, aq sa është objekt hulumtimesh, po aq përbën një veprim kompleks, shpesh i pazgjidhur për drejtësinë. Shpeshherë brenda këtij studimi, Vrasja është strukur brenda margjinës dhe e drejta si nocion juridik në legjislacionin në Kosovë ka qenë e pafuqishme të japë informacione të sakta, sidomos për vrasjen e çastit apo në tronditje të fortë mendore.

Në vitin 2019, Kolegji AAB-Prishtinë nxori nga shtypi librin “Vrasja në gjendje të tronditjes së fortë mendore” të Fejzullah Hasanit, ish-gjyqtar dhe profesor universiteti, i cili ka dhënë një kontribut të madh në çështjet penale-juridike, jo vetëm me gjykimet, por edhe me publikimet shkencore. Ky libër dhe kjo natyrë e studimit, ashtu siç e thotë edhe autori, është studiuar pak apo hulumtimet kanë qenë sipërfaqësore, si në Kosovë, ashtu edhe Shqipëri (fq. 15). Në të gjitha zhvillimet shoqërore, vrasja është provuar të argumentohet me prova të natyrave të ndryshme dhe, në të gjitha zhvillimet, ajo është ndjekur penalisht apo është bërë përpjekjeje t’i kushtohet një vëmendje më e veçantë se sa veprave të tjera penale. Në këtë studim përmbajtjesor, profesor Hasani i është qasur, ndër të parët, vrasjes në gjendje të tronditjes së fortë mendore,me maturi hulumtuese.

Autori ka bërë një studim të hollësishëm përmes metodës doktrinare, asaj analitike,  shqyrtimit historik nga ka kaluar vrasja në gjendje të tronditjes së fortë mendore, por edhe përmes metodave praktike, pra se si janë zhvilluar ato në themelet e drejtësisë, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. Ndoshta praktika jetësore prej gjyqtari e autorit si gjyqtar në të gjitha nivelet gjyqësore (Komunale, Qarkut, Supreme) e pastaj edhe si profesor universiteti, e ka shtyrë të bëjë një hulumtim më të thuktë për të kuptuar më saktë këtë dukuri, jo vetëm në nocionin penalo-juridik, por edhe më tej, psikologjik, narrativ, kriminologjik. Gjendja në afekt e kryesve të veprave penale është hulumtuar jo vetëm në zhvillimet e sotme, por edhe në të kaluarën, mirëpo më pak në Kosovë. Jo të gjitha veprimet që merr kryesi i veprës penale si vrasje e çastit mund të konsiderohen si vrasje të çastit në disa shtete të tjera. Kjo ndoshta edhe shkaku i zhvillimeve shoqërore, kulturës dhe perceptimit më ndryshe në disa vende të tjera të kësaj dukurie dhe jo gjithçka mund të ndryshojë të menduarit më ndryshe apo të afektimit për të reaguar në një tronditje e fortë.

Libri është i ndarë në katër pjesë. Në pjesën e parë autori flet për veprat penale kundër jetës dhe trupit, në aspektin e përgjithshëm penal-juridik, kuptimi historik i këtyre veprave dhe manifestimi i tyre nëpër etapa kohore. Ky kapitull përkufizon edhe dimensionin legjislativ lidhur me veprat penale kundër jetës dhe trupit, shqyrtimin tjetër kriminalistik, kriminologji e penologji, aspektet krahasuese me vende të tjera në rajon dhe më tej. Në këtë kapitull vihen në pah edhe ndryshimet shoqërore të baraspeshuara edhe me normat juridike-penale, procedurat e ndjekjes penale në aspekt më të gjerë, jo vetëm te vrasja, por edhe te vrasja e rëndomtë, e kualifikuar, dhe vrasjet e privilegjuara.

Në pjesën e dytë trajtohen Vrasjet e privilegjuara, llojet e këtyre veprave, ndërsa pjesa e tretë e librit është kryesisht tematike, e hulumtimit te veprave penale Vrasje në gjendje të tronditjes së fortë psikike. Ndarja e tretë e librit përbën, sipas autorit, edhe boshtin, ku trajtohet kontinuiteti kohor i veprës penale Vrasja në çast, rrethanat shoqërore ku gjendet viktima dhe i dyshuari. Kuptimi i gjendjes së tronditjes së fortë mendore që shkaktohet nga viktima, përbën hallkë në këtë dimension, si nga ana hetimore, ashtu edhe për fazën e aktakuzës dhe procesin gjyqësor.

Sipas autorit dhe nga të gjeturat në hulumtim për Vrasjen në çast theksohet se: “kanë treguar se viktima në shumë raste i ka kontribuar gjenezës së vrasjes” (fq. 84); konkludimet e autorit janë se ato duhen të vlerësohen me kujdes të shtuar, si nga ana hetimore, ashtu edhe gjatë gjykimit, për të konstatuar nëse kemi të bëjmë me vrasje në gjendje të tronditjes së fortë psikike apo është vrasje e rëndomtë. Për të gjeturat e pasojës së shkaktuar apo krijimit të figurës së kësaj vepre penale të afektit, shkaktimit të gjendjes së fortë psikike, rrethanat e vlerësimit mund të jenë të vështira nga ana e jurisë, si për të vërtetuar saktësinë e provave, ashtu edhe për gjendjen e krijuar nga ana e të pandehurit.

Pjesa e katërt paraqet praktikat gjyqësore të vendeve të ndryshme, vendet ballkanike apo ish-republikat e Jugosllavisë, pastaj të Evropës perëndimore e lindore dhe të vendeve me sistemin e së drejtës anglo-saksone. Këto praktika janë një model i mirë i analizës, si nga marrja e vendimeve gjyqësore, ashtu edhe gjetjet e tyre në konstatim të veprës penale vrasja në afekt. Në këtë pjesë shihen edhe marrjet e vendimeve nga ana e gjykatave të larta nga baza e zhvillimit shoqëror, që në një vend mund të kualifikohet si vepër penale Vrasje në afekt, ndërsa në disa shtete kjo mund të konsiderohet vrasje e rëndomtë.

Autori thekson se në të gjitha legjislacionet mungon përkufizimi ligjor i veprimit të kryerjes së veprës penale. Sipas tij “Veprimi i kryerjes së kësaj vepre penale përfshin çdo veprim të përshtatshëm që shkakton vdekjen e një personi dhe është e parëndësishme se në çfarë mënyre kryhet vrasja” (fq. 157) dhe për ekzistimin e kësaj vepre penale duhet të plotësohen këto kushte: 1. Vrasja është kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike, 2. Kryesi është sjell në gjendje të tillë pa fajin e tij, me sulmin, dhunën, keqtrajtimin apo fyerjen e rëndë nga i vrari dhe 3. Vrasja është kryer në çast. (fq. 158)
Ky libër i cili përbën edhe një hulumtim shkencor nga ana e Fejzullah Hasanit për një vepër penale të caktuar në Kod penal, shumë pak e trajtuar në Kosovë, por shpesh e rastisur edhe nga statistikat e rasteve të vrasjeve. Libri mund të shërbejë për të gjithë studiuesit e drejtimeve penale-juridike, gjyqtarët, prokurorët, avokatët, por edhe hetuesit të cilët merren enkas me hetimin e vrasjeve.

LEXO EDHE: MËRGIM BEKTESHI: PARA AKTI NË POEZINË E BUJAR TAFËS