Xhabir Ahmeti: Lindush, u bë një vjet që ti Bija jonë shkove te yt vëlla Lurani në përjetësi

Luran dhe Lindita Ahmeti

Një vjet nga largimi i Linditës në amshim

PAS TEJE, LINDUSH, BOSHLLËKUT QË PATËM PËR LURANIN IU SHTUA EDHE NJË BOSHLLËK TJETËR PËR TË DËSHMUAR SE DHEMBJA PASKA MUNDËSI TË ZGJEROHET ASHTU SIÇ ZGJEROHET QIELLI ME YJE

Nga Xhabir Ahmeti

Lindush, u bë një vjet që ti Bija jonë shkove te yt vëlla Lurani në përjetësi. Pas teje boshllëkut që patëm për Luranin iu shtua edhe një boshllëk tjetër për të dëshmuar se dhembja paska mundësi të zgjerohet ashtu siç zgjerohet qielli me yje. Epo, ja e këtillë, e pafund është dhembja jonë për Ju.

Tash ndajfoljet afër e larg për ne janë bërë kuptime të koklavitura. Ne s’ju kemi në shtëpi, s’jeni pranë nesh, por ju kemi thellë në shpirt në një vend ku dëgjohet prore kënga në mol e prindërve që kanë mbetur të vetmuar e para pikturës “Darka e fshehtë”.

Ne të dëgjojmë Lindush, e dëgjojmë vazhdimisht zërin tënd të kthjelltë kur lexoje me zë, veçmas kur lexoje poezi në dhomën tënde dhe zëri yt do të na shoqërojë gjithmonë, sepse është si kumbimi i faltores së lashtësisë që ka mbetur nën ujët e liqenit, thellë dhe e ruan atje përjetësinë. Ne i dimë për mrekulli notat e zërit tënd. E dimë edhe shtegun e tij. Sa herë që hapim ndonjë libër tëndin e shohim mrekullinë e mështeknajave tona që i japin kuptim blerimit, këngës së zogjve dhe bukurisë së natyrës. Dhe, Erosit, Harmonisë e Kadmit… E shohin atë edhe lexuesit e shumtë, e shohin edhe ata si “udhëton nga prehistoria” ky zë e shkon deri në thellësitë e të ardhmes duke shpërndarë bukuri, sepse ai është sinonim i dashurisë për prindër, për farefis, atdhe, për pafundësinë e gjuhës shqipe dhe për mirëkuptim midis njerëzve.

U bë një vjet Lindush, një vjet sa një çast – çel e mshel sytë dhe njëherësh një udhëtim i pafund nëpër kohë ose një dhembje e pakrahasueshme dhe një flakë që nuk fiket kurrë në zemrat e prindërve.

Të duam Lindush, të duam pafundësisht.

ObserverKult


Lexo edhe:

XHABIR AHMETI: VITE PO BËHEN PA LURANIN, SHTATË MUAJ E SA PA LINDITËN