(Poetit S. Hamiti)
Njeriu…
Merr trajtë ndër mote plaket nga njerëzit
Gatitu mëson ABC-në e jetës
Erën e lulexhenetit në lumin e vdekjes
Melankolia ujit lulet e thara në ballkon
Fundi fillim e fillimi kurrë s’mbaron
Në natën e përhershme të Prishtinës
Leninka tinëz ia numëron stinës
Dhe del që nesër krejt e pafaj
Qan e bërtet si fëmija pa nânë
Lotët s’i ndal thekshëm vikat’
Thikë harrimi dritës së ngratë
Pastaj motet e zeza ripërtrihen
Qiella e Toka me njëra-tjetrën s’ngihen
Në udhën e moçme deri në Vendenis
Shekuj t’braktisun koka pa plis
Kaos(mosi) lind botën e re
Nanën e shkretë e ngrin me rrufe
Pa shêj e nishan djalin e tret’
Në ballë oxhaku sall baba i shkret’
Ndër mote të bardhe në të zeza stinë
Herë mbledh lule herë korr çmendinë
Jep dashuri e asgjë nuk pret
Njeriu i dashur në dheun e sert’
Pastaj plaket në paqen e vet
Qesh me botën që nën këmbë rrëshqet
Pret me urti fillimin e fundit
Përtej parajsës këtej askundit
Njeriu lind plak njeriu vdes i ri
Fal shpirtin e tij korr terrin e zi
Në varg jetën kohës testament
Herë zjarr, herë ujë – në fronin e vet!
ObserverKult