Poezi nga Xhelal Ademi
Ti më njeh më mirë se bota dhe kur qeshem dhe kur qaj
Dhe kur helm më mbushet gota e pa shkak të nis e shaj,
Dhe sakaq kur them më fal, këtë e bëra pa dëshirë
Dhe kur ngutem dhe kur ndal më shikon me ca mëshirë.
Ti më di sa jam hutuar sa kjo botë më ngjan e çmendur
Di që armët s`kam në duar ta përzë këtë re të dendur,
Që na shfaqet përmbi koka e tinëzisht tutje të merr
Kur greminë më hapet toka kur parajsa ngjet në ferr.
Ti m’i njeh fjalët e trishta vinë kur pritjet janë të gjata
Dhe këmbanat sa të brishta kur të lodhur më zë nata,
Di që veten kam përmbysur tek poetët s’jam në majë
Edhe vjeshta vetullngrysur s’më pranon në shtrat të saj.
Ti më di në gjithë këtë jetë sa pa frikë i qasem drojës
Por tashmë kam shkelur vetë pelegrin në mes të Trojës,
Kur flaknaja djeg qytetin një strehim kërkoj këtu
Jo mbi varka të marr detin por tek qiejt e syvet tu…
ObserverKult
Lexo edhe:
XHELAL ADEMI: S’DI KU HUMBËN FJALËT TUA…
Kot të prita n’sheshe bote n’kënde rruge kot të prita
Se ti erdhe përmes gote që sakaq me fund e ngrita,
Pastaj heshtje asgjë tjetër, asnjë zhurmë asnjë zë
Ndaj harresa kaq e vjetër bëhet sa një shekull më.
S’di ku humbën fjalët tua, ti më the, “mos pi raki”
N’vend të saj te një krua do t’më japish pakëz gji,
Se do vinje si një Zanë, si te Muja i plagosur
Gjersa jeta aty pranë t’gjitha rrugët mi ka sosur…
Poezinë e plotë e gjeni KËTU