Xhevahir Spahiu: Ti e paske humbur, miku im…

xhevahir spahiu
Xhevahir Spahiu

Poezi nga Xhevahir Spahiu

Kisha menduar të shkruaja
një këngë triumfi për ty…

Po ti e paske humbur, miku im.
Si ai që goditet papritur me grusht
dhe sytë i erren,
si ai që bie në lumë befasisht
dhe fryma i merret.
Ku shkoi vështrimi i kthjellët,
ç’korba e hanë
dhe ç’heshtë e helmatisur t’u ngul
në ballin e ëndrrës pa anë?

Cila fjalë,
cila kohë,
cili zot
të bëri të flasësh me vete?
Humbamenoja im,
i pagojë si sendet.
T’u fashit siç fashitet një zjarr
Hakërrimi
e ti – luan i pajetë në xhungël;
era përgjon
sa të kthehesh në flugër.

A thua je i tëri i humbur?
Shikomë në sy!

Kisha menduar të shkruaja dikur
një këngë triumfi për ty…

Titulli i origjinalit: Humbje

ObserverKult

—————————————

Lexo edhe:

XHEVAHIR SPAHIU: KOSOVARJA

Në hyrje të shekullit të njëzetë,
nxorën në bankë të akuzës
një malësore të thjeshtë.

Ajo pas hekurave të burgut kishte pyetur:
– Përse?
Ata i thanë:
-Sepse…
Ajo në gjyq:
-Përse?
Ata:
-Një herë ke thënë se…

Sy të habitur
Në sallën e tymtë,
– Përse? Jua them unë,-
tha ajo më në fund.

Dhe zbuloi veshjen e varfër të saj,
sikur të zbulonte një thesar:
jeleku i kuq,
xhubleta e zezë!

– Ja, për këto më dënoni,
ju të një toke tjetër!

Në sallë u shpalos
trupi i saj:
një flamur kuq e zi.

Dhe zemra në flamur
si shqiponjë lëvizi.

ObserverKult


Lexo edhe:

XHEVAHIR SPAHIU: MONOLOGU I MIGJENIT