Xhevdet Bajraj: Kur qajnë hardhitë

Xhevdet Bajraj

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Udhës së atdheut
u zhdukën gjurmët e tij
sapo u shkri bora
dhe mbinë ferrat nëpër oborret
ku qajnë hardhitë
e shtëpive ku jetojnë pleq të braktisur
të cilëve u digjen buzët dhe goja
u digjet shpirti
nga çorbë e kujtimeve
që vlon përherë
kështu që më kot u fryjnë lugëve

Sa lehtë lindin ëndrrat atje
sa lehtë humbet rruga deri te to
kur qajnë hardhitë qofshin ato edhe të egra

Dikur do ta kuptojnë të gjithë
sa e rëndë është jeta në Kosovë
sa lehtë është të vdiset atje

Dikur
të gjithë do ta kuptojnë
sa gjatë
sa dhimbshëm qan zemra
qajnë hardhitë
para se të thahen.

ObserverKult


Lexo edhe:

I JEPET LAMTUMIRA E FUNDIT POETIT, XHEVDET BAJRAJ

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se i është dhënë lamtumira e fundit poetit Xhevdet Bajraj, i cili ndërroi jetë ditë më parë.

Ai ka thënë se Rahoveci, vendlindja e poetit, përbënte thelbin e shpirtit të tij.

“I dhamë sot lamtumirën e fundit poetit me përmasa botërore, të cilit inspirimi poetik i buronte nga dashuria e madhe që e ndjente dhe e shfaqte për vendlindjen e tij, Rahovecin e rrushit e të hardhive. Rahoveci përbënte thelbin e shpirtit të tij, sepse këtu ishte rritur e edukuar, këtu kishte njohur dashurinë e parë dhe këtu ishte mbrujtur me dashurinë për atdheun e tokën e të parëve”, ka shkruar Latifi…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU