Poezi nga Ymer Nurka
“Je e bukur!” të pata thënë.
Fluturimin shtrive larg.
U trete, si hënë e ngrënë,
Për kujtim më le këtë varg.
Të pata thënë “Je e bukur!”,
Perëndeshëz, plot shkëlqim.
Qysh atëherë më s’je dukur,
Më le vargun për kujtim.
Të pata thënë “E bukur je!”,
Gjurmët vure sipër fjalësh,
Kokën ngrite gjer në re,
Përmbi qiej, deshe të dalësh.
Portretin tënd e ndjek me sy,
Lartësish në qiell të hapur!
Mike! Një, nga ne të dy,
Kur të zbresësh, do jetë plakur!
ObserverKult
——————
Lexo edhe:
YMER NURKA: DASHURIA – ËSHTË PJESA JOTE E MUNGUAR…
Më shfaq dy gjinj, nektar-ambrozi,
Gatuar vallë, nga ç’brumë?!
Dhe pret që mendja të më sosi,
Dhe pret që unë…dhe pret që unë!
Në buzë na feks një buzëqeshje,
Si mbi qershi ndalon një flutur,
Siç çel e lind mbi një kureshtje,
Filozofia më e bukur.
Më pyet ti “ç’është dashuria?”,
(Të dish në jam i dashuruar!)
E unë ta kthej me fjalët e mia;
“Është pjesa jote e munguar.”
Është vepër arti, një imazh,
Që rrok shpirtin plot pasion,
Pastaj të kthehet në mirazh,
Që ta arrish, një jetë vrapon.
“Çasti” është, kur dy partnerë,
Për njëri-tjetrin ngjajnë perfekt.
Pas tij vërshojnë çaste të tjerë,
Që duan shkak, të gjejnë difekt.
Dashuria është një lugë,
Që në një çast ushqen dy gojë.
Dashuria është një rrugë,
Herë ngjan betejë, herë ngjan si lojë!
Ti prapë s’bindesh, ndaj më pyet;
“Folmë troç për dashurinë!”
Unë vështrimin tres tek yjet
Që brenda digjen, jashtë ndrijnë.