Moj buza burbuqe, o ju syt’ e zinj!
Po s’u falët vetë, s’blihi me florinj
Kjo arom’ e gushës, derdhur përmbi gjinj,
Ç’më dehu të tërin e shpirti s’u nginj.
Kjo arom’ e gjinjve, ç’të flladit në gushë,
Dhe cipa zeshkane, prahruar në push,
Dy gurë rubini, po pikojnë prush,
Po kupën e mallit, jo asnjë s’e mbush.
Ç’po pikojnë ah, dy gurë rubini,
Njëri zemër vashe, tjetri zemër trimi,
Shtyhen e përplasen, si s’u sos durimi,
Si e shembin botën, nisin nga fillimi.
Si s’u sos durimi, tërhiqen e shtyhen,
Me të kuq të purpurt, ëndrrave ç’u ngjyen,
Dy buzë dashnorësh, kur puthjet këmbyen,
Në zjarr meteorësh, veten oh ç’e kthyen.
ObserverKult
Lexo edhe:
XHEVAHIR SPAHIU: KUR S’I QESH BUZA BUZËQESHJES…
Kur s’i qesh buza buzëqeshjes,
Kur dhe vetmia zë vetmohet
Ti rri ngujuar brenda heshtjes,
Po tjetërkush për ty ngujohet.
Je gjeth i degës hijerëndë,
Je dru i pyllit që nuk sos
Nga zëra njerëzish rrafsh iu shembën
të lashtat mure Jerikosë.
Dikush për ty përbluan urinë
Mos ndjejnë uri as zogjtë, as ti.
Ti – një shushamë në suferinë,
ngujuar brenda vetes rri.
Dil sa pa rënë nata e gjatë,
sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë
Të rrosh përkthehet: Të luftosh!
LEXO EDHE: XHEVAHIR SPAHIU: TI S’PO VJEN…