Ymer Nurka: Zoti madh me dorë, ç’nuk bëri prej mishi…

ymer nurka

Si t’ish Perëndia, në zhegjet verore,
Vetëm dashuria loz me topa bore.
Zoti madh me dorë, ç’nuk bëri prej mishi,
Dy gjinj, si dëborë, dy rruzuj fildishi.

Dy rruzuj fildishi, dy gjinj, si dëborë,
Ç’nuk bëri prej mishi, Zoti madh me dorë.
Loz me topa bore, vetëm dashuria,
Në zhegjet verore, si t’ish Perëndia.

Kur të vënë në mes, vuan xhani vuan,
Njëri fap të ndez, tjetri hop të shuan.
Kur të vënë midis, luaj edhe çmallu!
Njëri, thotë “vdis!”, tjetri, thotë “ngjallu!”

Njëri, thotë “ngjallu!”, tjetri, thotë “vdis!”
Luaj edhe çmallu, kur të vënë midis!
Njëri, hop të shuan, tjetri, fap të ndez.
Vuan xhani vuan, kur të vënë në mes.

Ata ngjajnë me yjet, përflakur në dritë,
Peng t’i mbajnë kryet, futur në orbitë.
Kur Zoti vërtetë, vë kokën mbi gji,
Bota është e qetë, plot me dashuri.

ObserverKult