Nga Edison Ypi
Në shtëpinë e të vrarit flitet hapur për plumbin.
Në shtëpinë e të sharruarit flitet lirshëm për kalashnikovin.
Në shtëpinë e të therurit flitet pa teklif për sëpatën.
Në shtëpinë e të çarit flitet e bërtitet për sqeparin.
Pse të mos flitet për litarin në shtëpinë e të varurit ?!
S’ka kënaqësi dhe qef më të madh se të flasësh për litarin në shtëpinë e të varurit.
Aq më tepër kur shtëpia e të varurit është shtëpia e budallenjve, delirantëve, hajdutëve, të cilët, e pamundur të mos kenë kontribuar sa kanë pasur takatin ta yshtin njërin prej tyre të varet në litar.
Me çfarë litari u var vallë ? Me litar kërpi, litar najloni, litar çeliku ?
Pavarësisht se varja në litar shkakton vdekje lemeritëse, që litari rreth qafës së rahmetliut të shtrëngohet sa më mirë për të mundësuar një dalje shpirti pa naze, pa gulçe, sidomos pa klithma, litari duhet lyer me sapun.
Çfarë sapuni përdori vallë heroi ynë për lyerjen e litarit ? Sapun me kallëpë dhe sodë kaustike që ta grin mishin copa-copa, pra sapun Rrogozhine që në kohën e kurvit ishte i vetmi sapun për larje lëveresh dhe larje trupi, apo sapun të lëngët që përdoret për lavatriçe. Ose ndoshta përdori dhjamë derri, dhjamë njeriu, dhjamë qeni, graso makinash, që në fakt s’kanë ndonjë ndryshim thelbësor lidhur me arritjen e qëllimit final, vdekjen e sigurtë me sa më pak dhimbje të bastardit që i kemi ardhur për ngushëllim t’i pimë kafenë e lamtumirës nga kjo botë prej të cilës u nda sot.
A bëri kujdes që lakun ta lidhte sa më fort në tavan, në degën e lisit a të plepit, dhe sa më bukur rreth qafës ? Përderisa çdo gjë e bëri në konspiracion të thellë, këtë nuk mund ta dimë.
Për një degdisje sa më të shpejtë në Ferr, apo fluturim sa më të këndshëm në Parajsë, veç llojit të litarit dhe lubrifikantit të lakut, rëndësi kruciale ka stoli i vogël nën këmbët. I vogël stoli prej druri, por tepër i rëndësishëm. Se po u hodhe nga një grataçiel, edhe vdes edhe s’vdes. Ama po re nga një stol pasi ke lidhur një litar në fyt, kësaj jete i ke dhënë fund, vërsulju tjetrës.
Sa i përket pyetjes nëse heroi ynë u vetvar apo e varën, si qokaxhinj që jemi, kjo nuk është në kompetencën tonë ta zgjidhim. Me këtë të merren organet kompetente. Ne këtu s’kemi ardhur për hetime, por për ngushëllim, për të pirë një kafe dhe për të bërë një dorë muhabet.
Nëse gjatë varjes me litar ditziu ndjeu a s’djeu dhimbje, as këtë s’mund ta dimë. Mbi këtë do mund të bëhej një farë transparence vetëm nëse gjatë përpëlitjeve pasi i dha shkelmin stolit, do ndodhej dikush tjetër që do i jepte ose s’do i jepte një ndihmë. Por edhe ky fakt s’ka pikë rëndësie tashmë që fatnxiri varur në litar ka ikur te të shumtët dhe nuk mund të na thotë nëse j’u ndodh a s’ju ndodh njeri pranë në hjekë.
Sa i pëket pastaj, nëse vulëhumburi la a s’la gjë të shkruar për të dëshmuar sado përciptaz arsyen apo arsyet e dramës apo tragjedisë së jetës së vet, përgjigjen do ta marrim nga dërdëllitjet e banaqeve të mbrëmjes.
A i shpëtoi shurra gjatë përpëlitjeve ? Ka shumë mundësi ti ketë shpëtuar. Jo se kishte pirë shumë birrë, por sepse ishte frikacak.
A i rrodhi sperma pasi dha shpirt ? Të gjithë të varurve në litar u rrjedh sperma. S’ka pse të mos i ketë rrjedhur edhe gjynafqarit që i kemi ardhur për ngushëllim.
Duke mos pasur haber nga Kozmologjia Suicidale, nuk mund ta dimë gjithashtu as se në cilin zgëq të Kozmosit katranit të varur në litar do i flaket shpirti e në cilin rreth të ferrit do i digjet mishi.
Nëse heroi ynë e shprehu ose jo një dëshirë të fundit, kuriozët e kudondodhur në kësi rastesh që varjen në litar e panë live me sytë e tyre nuk lanë asnjë dëshmi. Jo sepse s’panë apo s’dëgjuan gjë. Por sepse të tillë nuk kishte.
Një video e shkurtër që e bëri një kalama, tregon qartë se para se të shkelmonte stolin tymosi një cigare. Çka tregon se cigarja mund të ketë qënë dëshira e fundit që ja lejoi vetes para se të varej.
Thuaj shqyqyr që s’kërkoi krëhër të vdiste i bukur.
Nuk bëri mirë që përdori stol. Meqënse bëri jetë shurre dhe meritonte vdekje muti, nuk duhej të kishte vënë nën këmbë stol, por një WC. Pasi t’i kishte dale shpirti mbi WC, dhe t’ja zgidhnin lakun, të binte te brima e hales. Pastaj nëpër gjiriza, drejt e në det. Nga deti në qiell. Nga qielli në formë shiu mbi kokat tona, me kalashnikova, sqepara, kosore, sharra, stola, laqe, dhjamra, pa të cilët nuk jetojmë dot.
ObserverKult