Zanë Mehmeti: Rrugë të një burgu pa mure

Përtej zhurmës dhe hijeve,
një pyetje mbetet pezull:
kush është, vërtet, armiku?

Oh, kushedi sa lodhen ata!
Në darka të gjata,
në kolltuqe që rrëshqasin,
me llogari të majme.
Po mendoj, si një axhami,
në këtë oqeaninë e blertë të kohës.

Më lëkundin valët e ditës,
vajtjeardhjet pa fund,
rrugët që trajektojnë si shkallë
drejt një burgu të padukshëm.

Një kafe turke, mjafton për ne të thjeshtit.
Për ne të thjeshtit,
një kafe turke, e fortë si në zamanin e gjyshërve,
dhe një gotë boronice,
janë një ngushëllim i mjaftueshëm,
një shpresë e njëmendtë
në këtë botë thartane.

Koktejet, për ne?
Oooo, jo, jo!
Koktejet e mjegullojnë shpirtin e thjeshtë.
Koktejet të hanë brendash, të tjetërsojnë,
si rétë që e fshehin diellin.
Ne të thjeshtit, mësuar jemi,
t’ecim n’errësira.

Kur afrohen ditët e zhurmës para zgjedhjeve,
rrugët mbushen me hallakamë.
Rrugët ngatërrohen, si labirinte prej ëndrrash
pa asnjë shteg daljeje.

Tamam teatër, tamam teatër absurd.
Në skenën e këtij teatri, dalin, shfaqen “heronjtë” tanë,
me fytyra të lodhura,
me buzëqeshje të ngrira.
Duart e tyre janë randesë, peshë e pashprehur,
peshë e mbështjellë me misterin e shifrave
që në zjarre heshtjeje digjen.

Punë gjysmake bëjnë gjithnji,
premtime boshe japin –
ata lidhen si hijet pas dritës.

Lojë djallëzore është lojë e tyre,
lojë e madhe ku rregullat i përcakton errësira,
e ne, thjesht shikues jemi,
në një arenë pa dalje.

Kemi empati për ta?
Po. Empatia për ta,
është si rrjedha e një lumi të ngadalshëm,
që përshkon gurë të ashpër,
duke u përpjekur të mos e gërryejë bregun.
Por, si çdo rrjedhë, edhe ajo lodhet,
dhe në fund të fundit,
i thehen kockat e shpirtit,
duke lënë prapa vetesh,
copa të thara të shëndetit dhimbjesor.

Tenderët, shifrat, u janë numra,
u janë zanafillë e një përralle të errët.
Nuk bëjnë lojëra fëmijësh ata,
por beteja të fshehta,
ku çdo shifër duhet ta gjejë vendin e vet,
si një gur i çmuar
në mozaikun e komplikuar të pushtetit.

Kërkesa të pamundura fluturojnë rreth tyre,
si flutura në netë të errëta.

Në rrjetën e pritjeve të pafundta, njerëzia ngatërruar presin,
me zemrat n’duar,
me zemrat që u rrahin si zogj të kafshuar,
duke kërkuar një frymëmarrje më të thellë
në këtë kaos.

Mjerim i heshtur, mjerim i bukur!
Udhëtarë të pafat, në rrugët e kësaj bote
të mbushur me gërmadha!
Njerëzia shkojnë, lodhen,
por nuk ndalen,
me shpirtrat peshë,
me shpresat e një dite të re!

Ju që i shani,
dhe ju që e keni vënë mendjen me i sha, ndaloni!
Shikoni më thellë,
shikoni përtej zhurmës që ndëgjoni,
dhe keni me pa, se ata nuk janë armiqtë tanë,
por vëllezërit tanë të tjetërsuar, pengesa jonë,
pengesa në rrugën tonë!
Janë vëllezërit tanë që i ka djallëzuar,
i ka verbuar pushteti, paraja.
Tashma, ata janë sistemi n’sistem!
Tashma, ata janë kanceri ynë!

Shajini, shuajini, prishjuani sistemin, njerëz!
Prishjuani fytyrat edhe këtyre njerëzve tanë jonjerëz,
që lodhen, vuajnë,
vuajnë kaq shumë,
për të na vdekur,
e për të na parë të vdekur,
si askend tjetër,
si asnjë herë tjetër!

ObserverKult


Lexo edhe:

SHAZIM MEHMETI: FEKTON NJI THIKË VETËTIME…