Zanë Memeti: Arti i gënjeshtrës

Nuk di në jam.
Nuk di çka jam.
E di, që nuk di.
Them “ndoshta di”…,
jo si shpresë, por si rrënkim.
Vetëdijshëm, gënjeshtra pushon
së qeni gënjeshtër;
bëhet marrëveshje
mes qenies dhe asgjësë.
Dashuria nuk shfaqet si ndjenjë,
as si parim;
është rrymë që kërkon rrjedhë,
rend i padukshëm
që i jep frymës arsye.
Nuk shuhen ndiesitë, ngurtësohen.
As vetmia nuk është mungesë,
por pasqyrë që nuk t’fal.
Gënjeshtra nuk ka flatra, shërime.
Nuk kalon mbi të vërtetën,
por e rrethon, e mbërthen t’vërtetën.
Jo nga dobësia, por nga vetëdija.
Të pathënat nuk janë gjethe heshtjeje,
janë struktura të dhembjes.
Gjithësesi, ndërtohet mbi to
një qetësi virtyti.
E dhimbshme sa s’ka më,
por, megjithatë është…
megjithatë vazhdon.
Është çmimi i një frymëmarrjeje
të shtyrë më tej,
më tej e më përtej.
E gënjeshtërt, e paformë,
përballë vetes ndodhur,
pa mbrojtje, pa metafizikë,
bëhem fjalë, shmangie, devijesë,
ekzistencë e së pavërtetës,
për të vërtetën.

ObserverKult


Lexo edhe:


Zanë Memeti: Puls i dyfishtë