Në shumë çaste të jetës së tij, mund të thuhej që kish lindur për të vuajtur, por e vërteta thuhet në fund dhe e vërteta e Zef Pllumit është që i mbijetoi vuajtjes dhe arriti ta dëshmojë atë.
Sot po e sjellim një nga rrëfimet e tij për periudhën kur vuante në burgun e Shkodrës gjatë arrestimit të parë, të cilin e ka treguar në librin “Rrno vetëm për me tregue”.
Ai jetoi më shumë se një vit në atë burg dhe një pjesë të kësaj kohe e kaloi duar e këmbë lidhur me klerikun, Gjon Pantalia
Nga libri “Rrno vetëm për me tregue”
Me hekurat e mija na lidhën të dyve bashkë. Ai pruni dyshek të leshit e mbulesat, kishte edhe pak enë të vogla për ushqime. U sistemuem, u gëzuam e u përqafëm. Fratel Gjoni kje i vetmi jezuit, që, kur u shpërnda gadi nji vit para shpija e tyne, erdh e banoi ne Kuvendin tonë Françeskan.
Me origjinë ishte prej Prizreni, djalë i vetëm ne moshën 20-vjeçare, kishte lanë punën si nëpunës i hekurudhës dhe nanën e vet me ndigjue thirrjen e Zotit për me hi anëtar i Shoqnisë “Jezu”. Tash ishte në moshën 64-vjeçare, nji trup mesatar i lidhun: mendjen e vullnetin i kishte edhe ma të fortë.
Para se me fjetë erdhën e na lidhën bashkë edhe kambët e kështu ishim të lidhun kambë për kambë e dorë për dore.
Kemi vuejtë ashtu se bashku pak a shumë katër muej deri në ditët e para të majit.
Në nesre u kuptue se burgu i Kishës (alias Kuvendi Françeskan) ishte plot e përmaje mbushë me të burgosun: nalt kishte 68 dhoma të mdha e të vogla. Poshtë kishte salla të gjana, në secilën sistemojshin së paku 200-300 të burgosun. Për çdo mëngjes na bijshin te dera nji tas ujë, nji racion bukë misri 400 g. dhe jepshin ndezjen e duhanit (vetëm nji herë në 24 orë). Në banjo na nxirrshin n’orën 5 dhe n’orën 17 gjithmonë me duer të lidhuna. Atyne që familjet u sillshin ushqime dhe ndrresa ua jepshin norën 12-13. Detyrohej heshtim i plotë pamvarësisht se në ditët e para u tolerue zani i ambël i Gac Qunit, por u ndryll ai dhe çdo za tjetër deri edhe kollitjet e te teshtimet, të cilat shpesh interpretoheshin si sinjale. Dy oda nalt dhe dy tjera poshtë afër bibliotekës, ku dikur ishte redaksia e Hyllit të Dritës, u vunë në dispozicion të hetuesisë. Ndër to, hetuesat me hu, korrent elektrik e lloj-lloj torture që u vinte ndër mend, mbyllnin proceset ose jetën e njerëzve të pafaj. Kuvendi Françeskan gjatë vitit 1947 kje qendra dhe kulmi i terrorit komunist: ai u transferue aty nga selia e parë që ishte shtëpia e Pjetër Çurçisë (afër Sahatit të Inglizit) dhe mandej, ma vonë, kaloi në Kolegjin Françeskan, ku Dega e Punve të Mbrendshme vazhdon me kenë edhe sot.
Në burgun e Kishës kam jetue deri me 18 Janar 1948, pra ma shumë se nji vit. Kje nji vit tepër i vështirë.
Në gjysmën e dytë të shkurtit 1947 shokun tim të vuejtjeve Fr. Gjon Pantaline, filluen me e marrë në pyetje. Kur thuhet pvetje don me thane fillojshin edhe torturat. Natyrisht, na nuk e pvetnim njani-tjetrin se shka kërkojshin në hetuesi, jo për mosbesim, par se ata ishin aq mizore sa mujshin me e marrë edhe atë tjetrin dhe me e pvetë se shka të ka thanë shoqi yt e me e torturue deri në vdekje.
Mbas nja katër seanca pvetjesh, nji ditë po vjen në dhomë me nji plagë në krah, nën brryl. Ai hetuesi i kishte ngulë nji shufër hekuri në mish. Mbas dy-tri ditësh e kapën ethet me të dridhuna. Plaga ishte ajtë, ai gjimonte prej dhimbash: nuk e merrte gjumi as ditën, as natën.
Gardiani lajmoi dhe pruni nji infermier ushtarak, i cili i hapi plagën dhe i shtini nji fitil. Na ishim të lidhun dorë për dore, në mënyrë që ai praktikisht ishte pa duer e më duhej mue me dhanë ndihmë o me i durue edhe dhimbjet e tija.
Ai infermieri ushtarak vinte krye dy ditësh. Infeksioni kje aq i randë sa mbeta pa mend: qelbi filloi me dalë nga plaga si uji. Ndërkaq hetuesi shtonte seancat e pvetjes së tij. Nji ditë nuk na prunë as bukën, as ujin. Kur i thamë gardjanit se na kishte harrue ai na u përgjegj se kishte urdhën prej hetuesit.
Mbas 48 orësh që ndejem pa bukë e pa ujë Frateli filloi me pasë shumë shqetësime, përveç dhimbjeve të krahit. Un ishem i qetë.
Zoti më kishte falë shumë durim, ai plak më dhimbej sikur të kishëm babë. Lutshim Zotin bashkë që të na jepte forcë. Mbasi kaluen tri ditë pa hangër, pa pi me tha:
-Shikjo Fra Zef, më vjen keq shumë që po vuen edhe ti për shkak tem. Tash e kam të kjartë se do të na lanë kështu edhe nji ditë, ose dy se jo ma shumë mbasi njëni vdes. Shif kur të na bien me hangër, kanë me pru ullij ose djathë që janë të krypuna, por nuk do të na biejn ujë. Prandej më ndigjo, mas prano me i hangër se do të kemi etje. Dhimbjet e etjes janë ma të mdha se të urisë.
Kur u banë pesë ditë pa hangër, pa pi, mue më kishte fillue nji gjumë i randë, ndërsa ai ishte shumë i shqetsuem. Më thonte shpesh:
-Falju nderës Zotit për këtë gjumë, por un kam dhimbje. Mbas pesë ditesh na prunë nga nji copë bukë misri me ullij dhe djathë bashkë. Frateli u çue e tha:
– Un nuk i marr pa me pru uje. – Do tjua biem ma vonë.
– Jo. Nuk i marrim.
– Ti fol për vete, ky tjetri i merr. -As un nuk i marr pa pru ujin.
Paçi vehten në qafe. Un po ua Ië këtu ushqimin, në daçi hajeni, në daçi mos.
Mbas nja 2-3 orësh gardjani erdhi përsri. Na menduem se do të na binte ujin, par ai ve~ ndali sa me pa. Gjella ishte aty ku e kishte lanë: e paprekun.
– Pse nuk hani?
– Bjer ujin përpara.
Mbylli derën e u largue.
Mbas nji ore u ndigjuen përsri ecje të zhurmshme nëpër korridor: u ndalën te dera jonë. Hynë mbrende tre vetë. Kishin nji sahan me krypë. Na hypën sipër dhe përdhuni na mbushën gojën me ka nji grusht krypë, mandej u kthyen në punë të vet. Të shkretat gojë tona që spatën me shka me u shpërla. Në nesre lkura e gojes u rrjep. Në të shtatën ditë nuk mujtem me u çue. Mue më kishte kapë nji si gjumë, nuk kishem kurrfare dhimbje, ndërsa Frateli kishte dhimbje jo vetëm prej krahit të pezmatuem, por edhe prej urie. Në ditën e nantë na prunë bukë dhe ujë: plot broken me ujë. Frateli e muer i pari aq me turr, sa gadi kje tue i ra dishka, mue më dhimbej shume, megjithktë e kqyrshem me nji fare inati, se me hini friga se nuk po më len asnji pike. Me teproi dishka dhe e shova etjen. Kur fillova me hangër mu duk se me luejshin dhambet. Hangra kadale dhe kur mbarova kafshatën e parë, me gishta provova: luejshin me t vërtetë. i thashë Fratelit:
– Shif si më losin dhambët, jo nji por të gjithë, hiqen kollaj prej fulqinit.
– Të paska ra smundja e marinarve. -Pse marinarve u bien dhambët?
– Nuk u biejn, por u losin ose u prishet mishi kur bajne udhtime të gjata në detë.
– Un nuk besoj se do ta ketë ndokush tjetër përveç të burgosunve.
Sa më zgjati kjo smundje nuk mund e thom me siguri, por ma vonë dhambet jo vetëm që nuk më kanë lëvizë, por më janë shtërngue aq fort sa kur ka ardhë koha me i hjekë nuk delshin pa thye pak edhe nofullen.
Mbasi kaloi kjo valë torture urije, Fratelin filluen me e mjekue përsri në krah se kishte shumë dhimbje.
Nji natë me duel gjumi i trembun. Frateli ishte zgjuet prej dhimbash të krahit. Më pveti: “Pse u trembe?”. Un i kallxova se kishëm pa nandërr Stalinin. Por nuk ishte ai Stalini i fotografive, por nji tjetër, burrë i ri, mjaft i pashm e i mbajtun që më thirri në zyrën e tij dhe më muer në pvetje.
Në fillim me muer me të mirë, mandej mu kërcnue, se mbrami muer nji shkop të trashe që ishte në qoshe të zyrës dhe u tremba e me duel gjumi. Ndërsa Frateli mendonte me ma shpjegue se a do të delte mirë a jo, qe se po ndiejmë zhurmën e kambve të gardjanit që avitej në korridorin e gjatë. Ishte kund ora 1 mbas mesnatet.
Ajo zhurmë po avitej përherë e ma afër e u ndal te derajonë. Ndërsa po hapej dryni, na bame sikur ishim në gjume. Gardiani hini mbrendë, demek më zgjoi, mi zgidhi prangat e lidhi Fratelin e mue me vuni pranga tjera. Më vuni para e ecëm nëpër korridorin e gjatë. Më dërgoi në zyrën e hetuesit. Shka me pa! Po ajo ftyrë e atij Stalinit që kishëm pa nandërr: Fadil Kapisyzi.
– Un, -më tha, -jam hetuesi i Fratel Gjonit, dhe mbasi jeni bashkë në nji odë mendova të zhvilloj njikohësisht edhe me ty procesin.
– Procesin e kam firmoss njihers! Ajo ishte nji tallje e jo nji proces serioz. Ai oficeri që të pat marrë ishte ndër ditët e transferimit dhe e ka ba shkel e shko. Bile edhe ai ka lanë shënim aty se procesi nuk asht përfundue, se do te dalin dokumenta të reja. Edhe kanë dalë. Un e zhvilloj procesin siç duhet; e ke pa ku e kam çue Fratel Gjonin: ka pase peshue 90 kg e tash peshon 60. Do ta baj me ardhë 20 kg. Un nuk dij lojna, prandej fol.
-Zotni, po as ai procesi që kam ba un nuk ishte lojna. Un kam hjeke edhe ma zi se Frateli atje te pjeshka.
-E dij, e dij mirë, ishin lojna fmijsh ato të Nestit. Do më njofish mue se ndër këto duer u ka dalë shpirti atyne burrave të fortë. Ke ndie ti? Fol!
– Un skam shka flas, mbasi edhe ato që kam firmosë ishin tepër.
– Tepër ee? Nuk din ti ee? Të kallxoj un tash ty. Por ma parë due me dijtë shka të ka thanë Fratel Gjoni.
– Si shkame ka thanë?
– Po, po, shka të ka thanë ai ty?
– Për shka? Un kur ishim jashtë nuk kam fole kurr me të, nuk na lidhte mosha: ai plak e un i ri.
– Jo more jashtë, po aty në odë shka të thotë ai?
– Ai më thote se e ke rrahë dhe e ke mundue. Shka më ka thanë tjetër?!
– More leni ato ti, po më kallxo ato sekretet e jezuitve që ti ka lanë ty amanet.
– Mue sekretet e amanetet e Jezuitve?! Un nuk jam Jezuit, por fransçeskan.
– I dij mirë un ato: të gjithë njilloj jeni. Por fol ose ta mora shpirtin këtu si zogut. Fol!
– Nuk më ka thanë kurrgja kurr.
– Fol o ta mora shpirtin! -mandej kapi nji shkop të trashë aty në qoshe të dhomës e të më hini mbarë e mbrapshtë.
– Arnan o Zot, -u luta, -po kur do të marri fund ky mallkim? Ndërsa ai po më rrahte, mue mu kujtue nji fjale.
– Ndigjo i thashë. -Ai e ndali shkopin. -A mendon ti se Fratel Gjoni asht budalla?
– Fratel Gjoni budalla? Po kush e tha këtë? Frateli ishte bash ai dreqi i dreqenve të Jezuitve. Vetëm ai i din të gjitha punët e Jezuitve. Për këtë e kemi na këtu. Fol shka të ka thanë?
– Po a mendon ti se nuk e ka mendue ai këtë punë që ju mund më thirrni edhe të me pvetni? Ai ma ka thanë këtë.
– Ta ka thanë e?
– Po ma ka thanë.
– Atëhere kallzo të gjitha shka të ka tregue, se kur të ka thanë çtë ka thanë edhe tjerat.
Mandej vazhdoi me at shkop edhe nja nji çerek ore e më lshoi. -Për sonte, -tha, -kaq ke boll. Shko në ode, mendo mirë, do të thrrasim përsri me fillue procesin tand. Fratelit mos i thuej gja. Më lshoi. Kur u ktheva node Frateli e pa shka me kishte gjetë.
Fjeta se ishem i lodhun.
Në nesre i tregova se shka më kishte gjetë. Ai nuk u çudit aspak.
– Un me të vërtetë e kam mendue se do të të thrrasin, por po më vjen keq se po të takon me hjekë për mue e per Jezuitët. Hajde ta bajmë bashkë Udhën e Krygjes: Gjithmonë nder përndjekjet kndra Kishës kanë dekë për Krishtin se bashku freten e Jezuite.
Mue nuk më thirri kurrkush ma për me më pvete për Jezuitet, dërsa, mbas pak kohe, Fratel Gjonin e shpeshherë edhe mue, na merrshin e na lidhshin kambësh e duerësh në nji korridor ku sillej roja; e na lejshin në kambe ditën e natën, pa hangër, pa pi; shënjojshin nji pikë në mure ku do të avitej hunda, dhe ashtu pa asnji lëvizje të trupit mbas disa kohe u ndiente nji lodhje kaq e ladhe sa me u çmendë. Mbas nja 5-6 ditësh ose nji jave na kthejshin e dhomë. Fratel Gjoni me dhimbej në shpirt: kishem fitue për të jo vetem respekt, por nji dashuni si ta kishem babe. Edhe ai më respektote mue se un ishem djakon. Shpesh herë më thonte:
– Fra Zef, mos mendo se kjo murtajë kalon shpejt. Ti je i ri Kleri katolik do të shkojë “usque ad unum” (deri në fund), vetëm atëherë do të vijë liria.
Ti do tia mbrrijsh asaj dite dhe ti do të tregojsh të vërtetën për të kaluemen e të sotmen. Kështu jam i bindun un.
….Aty kah mesi i Prillit më larguen prej odës së Fratelit e më çuen në nji korridor të vetmuem. Te Fratel Gjoni dërguen nji tjeter. Kush ishte ai?
Nji Zot e din. Por si flitej ma vanë ishte vllai i nji prej udhëheqsave lokalë të pushtetit komunist, ndoshta spiun i prokurorit. Kush e din? Fakti asht që mbas nji mueji Fratel Gjoni mujti me hi në nji prej atyne odave që ishin të lidhuna me Kishën dhe u hodh poshtë. Naltsia kje e madhe dhe Frateli theu kambët. E zunë në Kishë dhe e prunë në nji batanije përsri në odë ku ishte.
Çfarë të rrahunash i banë, megjithse me kambë të thyeme. Çfarë ulurimash ndigjuem. Na veç luteshim që Zoti ti jepte ndihmë atij edhe ne, se na kapi frigë e madhe.
Për disa muej nuk ia ndjeva ma zanin, as nuk ia njofta të ecunen nëpër korridor kur ishte orari i banjes. Nuk mund e kuptova kurr.
Por kah fillimi i Shtatorit, përsri u ndje zani i tij në nji korridor ku me hundë të mbështetun në nji rreth që vizatojshin në mur e lane disa dit ashtu në kambë, të lidhun, pa guxue me ba asnji lëvizje.
Mbas disa ditësh se çfarë torturash i banë nuk e kam të kjarte as sot, por ulurimat e tija tmerruen të gjithë të burgosunit. Aty në tortura vdiq.
ObserverKult
Lexo edhe:
AT ZEF PLLUMI: JEMI TË PËRÇAMË DHE MENDOJMË SI T’I BAJMË VORRIN VËLLAUT!
Nga At Zef Pllumi
Hapni sytë e shikoni realitetin me sy, shihni se jemi vendi ma i mbrapambetun i Europës e konkurojmë edhe për botën. Pse?…
Mjerisht duket se tash shumë kohë ne nuk na punon logjika si tjerëve. I thurim lavde vedit për mbrapambetjen tonë, turpet i quejmë ‘virtyte të larta të kombit’.
Jemi verbue shpirtnisht pse na mungon mendja e kthjelltë e inteligjenca për me pa se ku jemi; na mungojnë vullneti e trimnia për me thanë të vërtetën…
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult