Nga: Zija Çela
Ai u fejua, kur tashmë unë isha ndarë me tim shoq dhe jetoja me djalin tek Anastasia, vazhdoi Neta. Në fillim, pas fejesës, shiheshim më të rrallë. Natyrisht, Flori kishte të drejtë, ishin mjaft punë për t’u kryer: njohja e krushqve, ndërrimi i nishaneve, ceremonitë e rastit, gjithë ato detyrime te reja. Ai besonte se, pasi të mbaronin këto, gjithçka do të mbetej siç kishte qenë. Kaluan muaj dhe, ndonëse me Florin shiheshim përsëri, një ditë i hapëm kartat.
Ekzistonte një pikë e dobët, që fare mirë mund të përdorej kundër meje. Duke më paditur për xhelozi e egoizëm. Mirëpo unë nuk e fajësova pse zgjodhi tjetërkënd, kur tashmë isha e divorcuar nga burri dhe krejt e lirë për t’u martuar me këdo që më pëlqente. Unë vuaja më tepër për tjetër shkak. Megjithëse Flori i njihte prej kohësh marrëdhëniet e mia me tim shoq. E dinte se shpesh nuk bashkëjetonim, asnjëherë nuk guxoi të më thoshte: “E po, ndahu me të, Netë!” Përse, ngaqë s’kishte dashur të merrte përsipër detyrime?!.
Nëse unë e kisha bërë zgjedhjen time në mënyrë të gabuar, ishte e drejta e tij të zgjidhte sipas qejfit, nuk kishte ndonjë shtrëngim për të më çliruar nga gabimi im. Por, që atëherë e kuptova se ai kishte për t’u fejuar një ditë dhe se, edhe po të isha e lirë, mua nuk më merrte.
Ai nuk më merrte mua, tamam pse më njihte mirë dhe. Duke më njohur, kishte frikë që unë të bëhesha gruaja e tij. Ndoshta mendonte me vete se, ashtu siç e tradhtoja tim shoq me të, po të bëhesha nesër gruaja e tij, do ta tradhtoja edhe atë me një tjetër. Dhe kjo ka qenë një poshtersi e një frikë e kotë nga ana e tij. Po, është e vërtetë se një grua mund të ikë nga i shoqi.
Por, duke përjashtuar lajthitjet e çastit, ajo mund të ikë vetëm në qoftë se burri nuk është në gjendje ta mbajë. Në këtë rast, ai s’ka përse të ketë frikë nga gruaja. Kjo po ndodhte edhe me të dashurin tim. Kjo frikë ndaj meje e atyre që më kanë dashur, gjithnjë më është dukur fyese dhe, ndoshta, më ka hedhur kundër tyre pa e kuptuar. Por ndërsa flisnim me Florin për fejësen e tij, u mjaftova t’i thoja vetëm të vërtetën për çfarë vuaja. Natyrisht, ai nuk gaboi pse u fejua, por pse nuk më pyeti dhe ma fshehu mendimin për t’u fejuar.
Nuk prisja që Flori të merrte leje tek unë, por nuk kishte përse as të hiqte mundësinë për ta përballuar së bashku provën që na priste. Provën e rëndë të dashurise sonë. Ndoshta ashtu, do të kishim pasur kohë të përgatiteshim. Do ta kishim më të lehtë të dy, kurse… Tani ti nuk je më ai që ke qenë me mua, i thashë, ti nuk arrin të më përgjigjesh. Dhe jo pse nuk do, por pse nuk mundesh.
Një burrë që, nga fatkeqësia apo nga pasioni, ka vendosur për të bërë një jetë të dyfishtë. Për të pasur një grua si nënë të fëmijëve dhe një tjetër si të dashur, ai patjetër duhet të jetë i fuqishem. Ai duhet të jetë aq i fuqishëm, sa të ruajë për një kohë shumë të gjatë ekuilibrin mes të dyjave. T’u përgjigjet nevojave të njërës dhe pasioneve te tjetrës. Përndryshe, njërën ose tjetrën ai e çon në dramë. Dhe kjo është drama ime, i thashë. Sot e tutje, e di se ti do të kesh gjithnjë e më pak punë me mua. Por unë do të kem gjithnjë e më shumë punë me vetën: unë do të vuaj, sepse e kam të vështirë ta pranoj ndarjen.
ObserverKult
*Shkëputur nga romani “Monedha e dashurisë” e Zija Çelës
Lexo edhe:
ZIJA ÇELA: PSE NDODH QË TË JESH MES NJERËZISH DHE PRAPËSEPRAPË TË NDIHESH VETËM?
ZIJA ÇELA: ME KËMBËT E MIA PO SHKOJ VETË NË VARREZA…