Zyrafete Manaj: Amaneti i nënës

zyrafete manaj

Poezi nga Zyrafete Manaj

Ndëgjo bija ime, ti nderi i pragut t’palujtshëm,
zëri i ardhmërisë, aromë e bukës së magjeve tona,
filli i jetës t’behareve të hershme,
i thuprrave të shelgjeve të bereqetshme,
mos e zin veten ngushtë për asgjë në këtë botë.

Bëhu unaza e fateve që mbjellë dëshirat nëpër kohë,
n’kapërcimin e ujrave të turbullta bëhu ura e mirësisë,
flakadan që drita ta mund errësirën e moteve,
prijëtare e shkronjave që shpirti i djegur i lashtësisë i përjetësoi me dhimbje e vuajtje të zorshme ndër shekuj.

Kurrë, ama bash kurrë mos e ndaj mendjen në dysh!
Hezitimi ta vranë unin e çikës dardane e ta nxin faqen si thëngjill zjarri. 
Mundohu, zgjidhe nyjen e jetës se laku i të krisurit ta lidhë fytin e mbetesh pa oksigjen.

Nëpërkëmbjen mos e prano në sofrën e zemrës së bereqetshme, 
kurrë mos iu frigo vijëzimit të rrugëve kah lind drita, 
fuqizoje unin e shpirtit të gruas së guximshme,
se vetëm kështu e mund terrin e zezonave.

Mos hesht kurrë, ama bash kurrë,
kur ta vrajnë fjalën me hilen e kanunit!
Kur të thërrasin rob shtëpie,
ngritu, ngritu mbi diellin, mbi hanën, e merr ngjyrat nga ylberi, 
prij jetës me dritësinë e ligjit të çikës shqiptare,
që t’mos thyhesh asnjëherë.

ObserverKult


Lexo edhe:

DY POEZI NGA ZYRAFETE MANAJ: KUR MË MERR MALLI…