Zyrafete Manaj: Përditë jam grua

zyrafete manaj

Në lëkurën time e të saj ndeshet koha lakuriq
se me lotët e tronditura e shamikuqen mbyllasysh
këndohej kënga e vajit.
Motet rrokullisen duke përbuzur qenien time e të saj
e rrënjën ia përbuzin me fjalët gri.
A ndoshta veç pse e shtyjnë të bëhet preh gjahu,
E liga thyer historish me ligjërata të përditshme
për ta bërë copë unin e saj prej çike.
Se nga sot pragu i ri nuk është yti.
Unë tash jam grua përditë, edhe kur ringjall jetën
apo kur gurohem amanetesh
edhe kur netëve pa hënë u bëjë roje
vetëm që mos shterrojnë burimet,
e gjogut të bardhë
ia kreh jelat e besës,
se veç kështu e rriti emrin grua
Kanunit ia thyej rreshtat.
Rob shtëpie të mos më thërrasin më!

ObserverKult