29 Nëntori dhe historia e pishave përballë Hotel Dajtit dhe Parkut Rinia

Pak vetë e dinë se pishat përpara ish-hotel “Dajtit” në bulevardin kryesor të Tiranës numërojnë pak a shumë vitet e Çlirimit.

Ato u mbollën pas 29 Nëntorit 1944 me fidanë të vegjël, sipas një plani të studiuar mirë nga pikëpamja e simetrisë dhe e agroteknikës.

Kjo punë me specialistë e punëtorë, kushtoi plot 6000 franga, që janë baraz me 30.000 lekë të sotme.

Kurse parku Rinia përballë tyre është mbjellë në 5-vjetorin e Çlirimit.

Interesante është që ai park ku sot gjendet Bar Taivani dhe luajnë fëmijë e të rritur, është mbjellë brenda një nate, me punë vullnetare.

Kush e sjell këtë lajm?

Shkrimtari i njohur Shefqet Musaraj, në gazetën “Mësuesi”, të datës 24. XI. 1961, shkruan:

“…Tamam në atë vit, qe ishte edhe viti i pestë i Çlirimit, ndodhi një gjë e papritur: Më 29 Nëntor 1949, në mëngjes, u dëgjua aty, kundruall hotel “Dajtit”, një shushurimë e madhe gjethesh e drurësh, që i përngjante shushurimës së pyjeve.

Njerëzit qëndronin nga pak, thërrisnin, qeshnin dhe shfaqnin habinë e tyre për diçka që zinte syri për herë të parë. Për diçka që nuk ua merrte mendja të realizohej, ashtu siç po e shikonin me sytë e tyre, të realizuar brenda një nate me punë vullnetare.

Pishat e hotel “Dajtit”, si të zgjuara para kohe nga një gjumë i këndshëm, ngritën kryet, si zakonisht, krenare, e shikuan se si mbi sheshin dikur të zhveshur të Shallvares. Për çudi, aty bleronte tani një pyll madhështor eukaliptesh, plepash e akacjesh që, aty-këtu, ua kalonin në lartësi pishave pesëvjeçare!

Unë shikoja, gjithashtu i mahnitur, herë parkun e porsalindur me drurë aq të rritur, herë pishat e dikurshme dhe me dukej sikur këto nuk e kishin më atë krenarinë e zakonshme, sikur afronin kokën me njëra-tjetrën e bisedonin të shqetësuara. – Ç’është kështu, moj motrani? Ndofta është ëndërr. – Ëndërr, patjetër. Si mund të jetë e vërtetë?!…

Po u ngrys e u gdhi, shkuan ditë e javë dhe prapë karshi pishave bleronte pylli i madh me eukalipte, plepa e akacje”, – shkruante Musaraj.

——————————

Lexo edhe: PEMË NË VEND TË FLOKËVE, ARTI UNIK I ARTISTIT BRAZILIAN

Urbanizimi dhe natyra mendohet se janë kontradiktore mes tyre, por nuk është gjithmonë kështu.

Ndonjëherë, nëse vë në punë imagjinatën, të dyja mund të kombinohen dhe të formojnë një bashkëpunim shumë unik. Si në rastin e punës së artistit brazilian Fabio Gomes Trindade, i cili bën murale duke shfrytëzuar pemët si flokë të personazheve që vizaton, transmeton ‘a2news.com’.

Punët e tij janë bërë virale në rrjetet sociale.