Pyetësori i Prustit: Flurans Ilia

flurans ilia

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Flurans Ilia.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia e përkryer është orgazma te njeriu që do. Ajo gjendet te çasti. Është e kotë ta kërkosh në një kohë dhe hapësirë të shtrirë jashtë njeriut.

Cila është frika juaj më e madhe?
Paplotësia.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Nënën.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Faik Konica.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Skepticizmi.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Bufonëria. Pordhët që ndotin pafajësinë e qiellit.

Në cilat gjëra e teproni?
Me shishet e boshatisura të verës, të cilat i shndërroj më tej në shandanë për të mbajtur ndezur qirinjtë e territ.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Përpjekja për të shpëtuar jetën e një njeriu.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Libri.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Jetë dhe shëndet, çdo gjë tjetër është relative.”

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për botimin e disa prej fletoreve të mia me vjersha. Mundet t’i kisha mbajtur pak më tepër pranë vetes, për t’i shndërruar në poezi të mirëfillta.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Të qenit gladiator i përditshmërisë time.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Tundimi, ngasja, mëkati, kur mendoj se mund të jem dikush tjetër.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Padyshim, të qenin vetvetja.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Hapësirën.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Do të doja të isha si Mitrush Kuteli, të mblidhja gojëdhënat dhe legjendat e popullit tim, të krijoja Shqipërinë e përjetshme. Do të doja të isha njëra nga ngjyrat fillestare të krijimit.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Fjala.

Konsideroj se jam në gjendje që njerëzve t’ua lexojë edhe mendimet!
Shpesh kam aftësinë të shoh imazhe të çuditëshme. Për shembull pikëpyetja në fundin e një fjalie gjithmonë më është dukur si një grep në peshkimin e ideve. Apo si një spirancë ku ideja është e ankoruar. Shpesh e konsiderojmë pyetjen më të rëndësishme se përgjigjjen. Pikëçuditësen në fundin e një fjalie, e imagjinoj përherë si një shigjetë të ardhur qysh nga koha e antikitetit, të ngulur drejt e në truallin e së tashmes. Më kujtohet në këto çaste Sofokliu. “Kur në rrugën e Tebës, Edipi ndesh Sfinksin i cili i shfaq një enigmë të panjohur, Edipi i përgjigjet me një fjalë të vetme : Njeriu!” E pra të dashur miq, jam duke punuar ende me ngulm në këtë pikë. Është një univers i pashtershëm njeriu, mendimet, dhe demonët e tij.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mediokritetin e ngritur në pushtet.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Pranë detit.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Është një këngë e Dire Straits e titulluar “Brothers in Arms”. Ka elementë të burrërisë dhe besës në atë këngë. Mendoj se një mashkull për nga natyra, nuk ka nevojë për më tepër.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Inteligjencën. Humorin fin. Feminitetin gjer në madhështi.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Kjo është pyetja më e veshtirë e këtij pyetësori që mbart edhe emrin e Prustit, që është njëri nga shkrimtarët e mi të preferuar.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Qysh në kryeradhë janë femrat që kanë shoqëruar jetën time. Janë etërit e së djeshmes, vëllezërit e së tashmes, bijtë dhe bijat e së ardhmes. Njeriu do të ishte një ishull i shkretë në pafundësinë e të madhërishmit blu po qe se një nga këta heronjtë e përditshmërisë do mungonte aty.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Do të doja të isha detar, të mos më zinin këmbët dhe. Do të doja të luaja kitarë akustike me gishta, sikur gjyshi im, ndjesë pastë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Në ëndërr.

Cila është motoja juaj?
Realiteti.

/ObserverKult