Pyetësori i Prustit: Dije Demiri-Frangu

dije demiri frangu diella çitaku

Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet Dije Demiri-Frangu, studiuese e letërsisë, kritike dhe shkrimtare.

Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Lumturia nuk është vetëdija, është një fluskë shumëngjyrëshe që ne vzhdimisht e ndjekim në ajër dhe posa e kapim ajo c bëhet…mendoj se është si parajsa, një projeksion që mbetet brenda një tendece që na sfidon. Tendenca për tek lumturia është e vazhdueshme, ndaj krijojmë, punojmë e na pëlqen fundosja në iluzione. Mendoj, lumturia mund të jetë si ajri, e thithim dhe harrojme se e marrim, mund të jemi të lumtur dhe të mos e hetojmë që jem.

Cila është frika juaj më e madhe?
Frika më e madhe që më kaplon nganjëherë si një flakë e hekurt, është njeriu. Sa i keq mund të jetë, sa mashtrues, shkatërrues e rrënues. Njeriu çdoherë është bombë e kurdisur…

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Problem….njerëzit vetëm një distancë kohore nga vdekja i verifikon, i pastron, i filtron… për admirim janë ata që s’janë, pra ata që janë vetëm me idetë e tyre të cilat i ka seleksionuar distanca nga autori.

Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun, ai përfaqëson përpjekjen më të madhe, më sakrifikuese dhe më shkëlqyese për kombin tonë.

Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni te vetja?
Njeriu nuk është i kënaqur, kryesisht me të tjerët, por jo rrallë edhe me veten. Veçoria që më bën unikale e që më pengon, është besimi në njerëz, afria me ta pa paragjykime, gjë që shpesh më ka ndodhur të zhgënjehem nga ta.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Ata që gënjejnë, gënjeshtra është një patologji që ka vërshuar cdo nivel komunikimi. Është një ves që në shoqërinë tonë thuajse është legjitimuar, duke u bërë kod i suksesit (!!!), kështu që janë rrënuar raportet për një shoqëri normale.

Në cilat gjëra e teproni?
Me duhanin, ndryshe jetoj brenda një sensi të masës, s’kam guxim të kaloj kufinj dhe kjo mendoj më ka mbrojtur nga shumë strese dhe nga shumë rënie shkallësh….

Çfarë do t’ju shtynte të gënjenit?
Do të gënjeja kur ajo do të më shërbente për të shuar një zjarr, një keqkuptim, kur do të më ndihmonte për t’mos rrënuar një gjë të mirë shkaku i një kapriçoje, do të gënjeja vetëm në dobi të së vërtetës.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Natyra, shikimi mbi klorofil, hulumtimi i formave të luleve e gjetheve dhe natyrisht udhëtimi nëpër semantikën e fjalës.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Njëmend?! Ndoshta pse ende befasohem nga e keqja.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Pendimi nuk tregon dobësi, të ofron një mundësi korrigjimi, e ndryshimi. Kur je gabim dhe nuk pendohesh e nuk gjen shteg tjeter, mendoj është një kokëfortësi e dëmshme. Nëse sensi im në vlerësimin e një situate ka qenë i gabuar, mund të shprehu pa kompleks pendimin, sepse jo çdoherë kemi ekuilibrin e domosdoshëm të matjes.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Dashuritë janë të ndryshme, ndoshta më të ndryshme se edhe kategorizimi i Fromit dhe janë si uji, herë vërshojnë herë ikun, por dashuria që nuk çrrënjoset dhe nuk ndërron masën, është ajo ndaj dy gocave të mia, Fortesës dhe Anës. Sugjerimi per të dashur njëri- tjetrin është mbi 2000 vjeçar, por koha moderne ka vënë shumë relacione interesi, në vend të dashurisë.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Ndenja për jetën dhe ardhmërinë më bën të shqetësuar, ngase kemi marrë një teposhtëze si shoqëri si dhe bota po bëhet gjithmonë e më e keqe, gjithmonë e më grykëse. Çfarë shifra kanë kronikat e zeza! Sa vrasje brenda ditës!!!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do ishte ajo?
Ta dua veten më shumë, t’ju besoja tjerëve më pak, dhe të mos ia varja shumë jetës.

Çfarë konsideroni arritjen tuaj më të madhe?
Krejt kjo që jam, duke shikuar nga perspektiva e rrethanave e mendoj arritje të madhe çdo gjë që kam bërë.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Kam bindjen se edhe po të mund të bëja të parën-kthimin e kohës, nuk do të mund të bëja më shumë për të dytën-ndryshimin…ndoshta do kisha bërë një jetë më insistuese dhe më intensive.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Shpirti është sovran, është energji, por që e kisha lutur të bëhet engjëll mbrojtës, për fëmijët e mi dhe njerëzit e mirë. Spiri­tistët mund të qeshen në këtë rast, ose mund ta marrin seriozisht mendimin që e besoj se vdekja mund të jetë rijetë, mund të jetë rilindje.

Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
Pavarësia ime shpirtërore dhe materiale.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Të qenurit butak, tingëllon politike por aktualisht jemi të rrethuar nga ta, sa që orekset e tyre po na çmendin.

Ku do të dëshironit të jetonit?
Diku ku jeton ligji.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Përgjegjësia, ajo më mbyt dhe më streson. Vazhdimisht bëj një jetë vigjilente, pa dashje …dhe krejt kjo po më lodhë sepse rrallë qëllon që edhe të tjerët të të përgjigjen me të njejtën masë.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Janë qenie të rëndomta, të maskuara nën semantikën që ia kemi dhënë ne gratë fjalës- mashkull. Mendoj janë të hutuar dhe fëminor, kjo i bën simpatik, por jo për t’i vlerësuar. Do të vlerësoja dijen, tek ata që e kanë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
Tingëllon konvencionale, por çmoj ndjenjën e fortë të amësisë tek to. Këto gra janë të forta në çdo sfidë.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Dostojevski.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që luftojnë për të vërtetën. Ende nuk e di ku janë dhe kush janë!

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të poetes, është një udhë interesante, një fluturim shpirti. Nuk ka paqe më të madhe se paqja e përftuar nga fjalët, loja e tyre.

Si do të dëshironit të vdisnit?
Qetë.

Cila është motoja juaj?
Njerëzit e sinqertë nuk janë as naivë, as budallenj, aq më tepër të dobët. Përkundrazi ata janë aq të fortë, sa nuk e detyrojnë veten të vendosin maskë ! (e lexuar)./Gazeta Observer