Flasim për Gjergjin,
për ditët e netët e gjata të rrethimeve,
për luftërat e rrepta, fitoret,
për kalin e tij të zgjuar dhe për shpatën e rëndë
por shpesh të harrojmë ty.
Harrojmë si kthehej ai i lodhur nga betejat,
te dera e prisje ti.
I merrje në trupin tënd dhimbjet e plagëve të ushtarëve,
të fushave të djegura me grurë, të puseve me ujë
të helmuar për të mos ia lënë atij.
Se ai duhej të pushonte pak
për të qenë përsëri nesër për luftë.
Koka e tij e papërkulur para gjyleve të rënda të topave
rrëzohej mbi supin tënd të butë.
Shihje si i rëndoheshin ngadalë qerpikët,
si i mbylleshin sytë.
E, për t’ia bërë edhe ëndrrat më të lehta,
hyje vetë aty.
Them: kur ti ishe e domosdoshme në rrethimet e gjata,
aq e domosdoshme je për të dhe tani në pavdekësi.
Ndryshe si të krenohemi se trashëgojmë Gjergjin e vërtetë
pa pjesën e vet që ka lënë tek ti?!