Lajmin e kanë konfirmuar përmes Facebook-ut, Baleti Kombëtar i Kosovës.
Ahmet Brahimaj u lind më 06.12.1953 në Novosellë, Pejë. Shkollën e Mesme të Baletit (1968-1972) e kreu në Shkup, dhe i takon Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës.
Njoftimi i plotë i Baletit Kombëtarë të Kosovës:
Sot më 07.05.2020 ka ndërruar jetë Ahmet Brahimaj, ish-Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës.
Ahmet Brahimaj u lind më 06.12.1953 në Novosellë, Pejë. Shkollën e Mesme të Baletit (1968-1972) e kreu në Shkup dhe i takon Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës. Si solist i kësaj Trupe ka luajtur në të gjitha shfaqjet që janë pregaditur atëkohë, pra ka luajtur në 38 Premiera baleti, e në shumë premiera të tjera të Dramës.
Ai ishte njeriu kyç i rithemelimit të Shkollës së Baletit respektivisht Baletit Kombëtar të Kosovës. Gjatë udhëheqjes së Brahimajt, BKK ka bashkëpunuar me shumë koreografë të shquar nga e gjithë Bota, gjë që rezulton me suksese të njëpasnjëshme.
Më datën 26/11/2010, me Urdhërin e Presidentit të Kosovës, me Rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, Ahmet Brahimaj nderohet me çmimin e madh “Artist i Merituar” për kontributin e dhënë në zhvillimin e Artit të Baletit në Republikën e Kosovës.
Sot Balerinët e BKK-së kanë humbur “Babain” e përbashkët i cili nuk e kurseu asnjë moment të jetës së tij për të punuar për ne qe të kemi sukses si institucion e të njihet në mbarë botën.
Ne do të jemi mirënjohës tërë jetën dhe do të bëjmë çmos që ta vazhdojmë atë që ti ke nisur!