Skënder Rusi: Mos u bëj më e bukur se kaq!

Trembem, mos bëjmë ndonjë marrëzi,
Mos u bëj më e bukur se kaq!
Unë mundem lehtë nga çdo bukuri,
Flamurin e bardhë e ngre lart!

Kam një mendje që mua s’më pëlqen,
Po çdo urdhër më vjen prej saj!
Ajo është kundër çdo lloj marrëzie,
Kundër çdo mbrëmje ku fle një faj!

Ndaj ti mos u bëj më e bukur se kaq,
Mos na bëj të grindemi me mëndjen!
Njeriu i zakonshëm lind normal,
E jo me kaq bukuri si tënden!

Trembem mos bëjmë ndonjë marrëzi,
Dhe jo vetëm unë, Dhe jo vetëm ti!