Mirela Papuçiu: Çështje territoresh është dashuria…

mirela papuçiu

E gjitha është çështje territoresh
Dhe dashuria. Pronësia
qëndron tek une si qimet në fytyrën
e pubertetit.
Ndoshta, ngaqë linda në kohe shtetëzimesh
Ndoshta, ngase, për siguri, prindërit
na e qepën lekurës, na e fshehën
damarëve trashëgiminë
nga frika e shtetit apo e grabitësve në shtim.
Ndaj nuk bëra kurrë luftë për “tokat e mia”
Tonat janë vetëm iluzionet. As shpresat jo.
Ato i takojne jetës.

ObserverKult

Lexo edhe:

MIRELA PAPUÇIU: TË GJITHËVE NA MERR MALLI…

Na merr malli të gjithëve
Ata që ikën, si dhe ne që nuk e lamë qytetin ndonjëherë.
Na merr malli të gjithëve
Na merr për të afërmit që i humbëm kthesave të ditëve të verbëta
dhe për të panjohurit që, padukshëm, na u ulën, kohën e një puhie, pranë
Na merr malli të gjithëve siç e merr lëkurën
për freskinë e çarçafëve shtruar për herë të parë,
për gishtat e butë rrëzë frymës së agimeve të majit,
për buzët gjysmë të çelura të dihatjeve që na lindin pasi vdiqëm, kaq herë.
Na merr malli për gëzimin që na i qendis sytë
kur veshim kostumin e rehatshëm,
lehtësuar nga kanavaca kollarisur me frikën prej vetes

Na merr malli të gjithëve, na merr
T’u hipim pajtoneve tani kur njerëzit u hipin rendom avionëve
Të nisemi më këmbë për tek tjetri
se e gjitha sa kemi, tash, na është grumbulluar
në mollëza
e lëkura është tëhollur shumë për gjithë këtë mall.

Malli është një nusepashke në pëllëmbën e trishtë të mërzive.

ObserverKult