Ironia me përditshmërinë në ekranin online të “DokuFestit”

Yllka Leti me delikatesë vendos ngjyrën mbi pëlhurën e bardhë. Ajo është e zonja në art. “Jam piktorja më e mirë”, thotë në filmin “65 Roses”, që dokumenton jetën e saj. Mirëpo, aftësitë e saj në pikturim janë vetëm një anë e portretizimit të artistes.

Filmi i realizuar në vitin 2019, nën regji të Murat Zherkës, ka në fokus një anë tjetër të personazhit. Vë në pah fuqinë e 11-vjeçares dhe vullnetin për të jetuar dhe mposhtur sëmundjen të cilën e ka, fibrozën cistike. Plotësisht e kundërt është natyra e fermerit që portretizohet nga Afrim Muqaj te filmi “Farmer’s Blues”, nën regji të Ibër Dearit. Dëshpërimi i fermerit është ai që reflektohet në filmin 14-minutësh të regjisorit nga Kumanova, transmeton ‘koha.net’.

E te filmi “As If Biting Iron”, regjisorja Stephanie Rizaj i bën personazhet që të besojnë se mund të lëvizin shtëpinë. Ani pse narrativa dhe realizimi artistik janë komplet të ndryshëm. Tri rrëfimet kanë një pikë të përbashkët. Bashkohen përmes copëzave të realitetit shqiptar, që gjenden brenda tyre. Njëri regjisor ironizon me problemet, tjetri kritikon e dikush shpreson të nxitë reflektim. “65 Roses”, “Farmer’s Blues” dhe “As If Biting Iron”, janë tre nga 11 filmat që sivjet përmbushin mozaikun e garës kombëtare në “DokuFest”. Këtë vit, edicioni XIX po mbahet online për shkak të pandemisë.

Te “65 Roses”, regjisori i ri nga Maqedonia Veriore, Murat Zherka, brenda 16 minutave ofron disa të dhëna për sëmundjen dhe tregon brishtësinë e sistemit shëndetësor në Kosovë. 11-vjeçarja pikturimin nuk e ka vetëm hobi. Ajo i shet veprat e saj në mënyrë që të ndihmojë familjen për të përballuar shpenzimet e saj shëndetësore. Titulli, ashtu siç e tregon Yllka Leti në dokumentar, ka ardhur nga ngjashmëria që ka shqiptimi “65 Roses” e që, sipas saj, tingëllon ngjashëm me shqiptimin e sëmundjes në anglisht (Cystic fibrosis).