Një ekspozitë brezash ka sjellë, këtë shtator, tre artistë të familjes Llukaçi përpara artdashësve në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” të Durrësit.
Mbi 130 punime në pikturë dhe skulpturë, të përmasave dhe teknikave të ndryshme, vijnë si pjesë e shpirtit artistik të familjes së skulptorit të mirënjohur durrsak Nelo Llukaçi, që vjen në ekspozitën e titulluar ”E thjeshtë” së bashku me të birin Romirin dhe mbesën Leopoldina.
”Kjo është një ekspozitë që me emocionon shumë dhe besoj që kështu do të vazhdojë edhe mbesa nëse do të ndjekë rrugën e pikturës. Ajo ka marrë nga ne dhe jeton me të bukurën, duke parë format e dëgjuar mbi artin.”, thotë ai.
Ideimi dhe kurimi i ekspozitës u bë nga Romir Llukaçi, i cili që herët u mbrujt me dashurinë për artet figurative në studion e të atit dhe piktorëve të tjerë durrsakë dhe këtë po e transmetojnë natyrshëm te anëtarja më e vogël e familjes.
”Kjo ekspozitë vjen në një moment të vështirë dhe vjen për t’i dhënë pak ngjyrë dhe lëvizje si qytetit të Durrësit dhe artit, gjithëkush me një gur kilometrik në krijimtarinë artistike shqiptare”, thotë ai.
Edhe vajza po rritet e lidhur me artin, ashtu si jam rritur dhe unë në studiot e piktorëve durrsakë si Nikolet Vasia, Gavril Priftuli…”
Një botë e bukur fëminore, plot ngjyra dhe personazhe të dashura, vjen përmes punimeve të Leopoldinës. Përkrah babait dhe gjyshit, ajo sjell qasjet e saj ndaj familjes, së bukurës dhe gjithçkaje që e rrethon.
Çdo mbrëmje, deri më 16 shtator, ekspozita familjare do të qëndrojë e hapur për dashamirësit e arteve figurative dhe vizitorët e qytetit bregdetar, si një dritare shprese se individi dhe shpirti i tij krijues nuk mbyllen ne kafaz as në kushte izolimi./topchannel