Programi treditor i titulluar “Kuzhina anasjelltas” i mbajtur gjatë fundjavës në Prizren ka shqyrtuar praktikat lokale të gastronomisë, bashkë me diskutimet për ushqimin dhe prezantimin e kombinimeve eksperimentale të përbërësve ushqimorë. Ky program është realizuar në kinemanë “Lumbardhi”, përkatësisht në kuzhinën e saj verore, që është themeluar si një hapësirë për grumbullim, eksperimentim dhe shijim të ushqimit.
Njëherësh ka shërbyer edhe për lansimin e Platformës bashkëkrijuese “GërrGërr”, që sipas themeluesve inkurajon krijuesit, artistët dhe punëtorët në sektorin e kulturës të hyjnë në dialog me trashëgiminë kulturore për të prodhuar qasje, perspektiva dhe lexime të reja të artit, kulturës dhe historisë lokale.
Në natën e hapjes, Blerta Ismaili nga CHwB Kosova ka theksuar se platforma “GërrGërr” është themeluar nga shtatë organizata të kulturës dhe nga profesionistë të tjerë të kulturës.
“Qëllimi i platformës bashkëkrijuese është në fakt të krijohet një hapësirë ku mundësohet prodhimi, edukimi dhe krijimi me qëllim që të ndërveprohet me trashëgimi kulturore”, ka thënë ajo.
Programi i parë i kësaj platforme, respektivisht “Kuzhina anasjelltas” për tri net ka përfshirë biseda mes folësve, që kanë ndarë perspektiva të ndryshme mbi interpretimet bashkëkohore të praktikave tradicionale të gatimit, si dhe prodhimit të ushqimit dhe të ekonomisë.
Folësja e parë, Diona Nojani, nga kuzhina e “Lumbardhit” ka shpalosur përvojën e saj në udhëheqjen e kuzhinës verore të “Lumbardhit” prej konceptimit e deri te interpretimi në meny i mënyrave që ajo i ka aplikuar duke integruar elemente të ushqimit tradicional.
“Për herë të parë në ‘Lumbardh’ ka qenë kuzhina verore në vitin 2019, që për mua ka qenë mundësi shumë e mirë edhe kënaqësi me marrë pjesë këtu. Menyja ka qenë me produkte pa mish, por më shumë jemi fokusua në ushqime tradicionale tonat dhe të vendeve të ndryshme”, ka thënë ajo, duke shtuar se në fillim ka pasur sfida për t’i prezantuar shijet e reja te vizitorët e kësaj kuzhine.
“Eksperienca këtu në kuzhinë më ka bërë me e pa që njerëzit nuk janë shumë të hapur për ushqime të reja, shije të reja”, ka deklaruar Nojani, teksa ka shtuar se me kalimin e kohës ka arritur t’i bindë njerëzit që të provojnë shije të reja. Në të njëjtën kohë ka theksuar se përpjekja e saj është që njerëzve t’u ofrojë ushqime të mira dhe të shëndetshme, transmeton ‘koha.net’.
“Kisha pas qejf njerëzit me qenë ma të vetëdijshëm çka po hanë, edhe me provu shije të ndryshme, edhe të reja”, është shprehur Nojani.