Fahredin Shehu: Tabuti i Rahovecit


Gazetat që s’i shkruam dhe
TV nuk kishin atë ngjyrë gjaku
për ta shfaqur
as klithmë
as pamje

një grua në kohë lufte shkon
te nëna fëmijët për t’i shpëtuar
shpëtimtarët bombardonin armikun
toka buçiste nga dënesja
nga vaji
nga të qarët e shpirtit

ata nuk vrisnin ushtarë
vrisnin gra, pleq dhe femijë
bota shikonte tmerrin
zemra u ndrydhej dhe
truri u pëlciste

tre fëmijë të vrarë në gjumë
me koka të prera pas vrasjes-
të lëna në jastëk
afër trupave

cila dërrasë do t’i bartë këta engjëj
cila tokë do t’i merrte në prehër këta fëmijë
cila nënë andej kufirit
e ka këtë dhimbje si
tezja e këtyre fëmijëve sepse atë dite
Gjyshja, Nëna dhe tre fëmijë
do të varrosen pa funeral

ky është tabuti më i rëndë i Rahovecit
ndërkohë ata që duken si njerëz
ende jetën e mohojnë