Një pikturë me vlerë më shumë se 300 mijë dollarë është gjetur në një kontejner të riciklimit të plehrash në aeroportin e Dyseldorfit në Gjermani dhe është marrë nga policia.
Piktura surrealiste, nga artisti francez Yves Tanguy, vlerësohet rreth 280 mijë euro. “Përralla” e gjetjes së pikturës është pothuajse po aq surreale sa vetë piktura. Peizazhi abstrakt u zhduk për herë të parë më 27 nëntor, kur një biznesmen, i cili nuk është identifikuar, e harroi atë në zonën e “check”-init në aeroport. Vepra e artit ishte e paketuar në një kuti kartoni me madhësi 40 x 60 centimetra.
Vetëm kur biznesmeni po hipte në avionin që udhëtoi për në Tel Aviv, e kuptoi se ai kishte lënë pas bagazhet e tij me vlerë të madhe. Pas mbërritjes në Izrael, ai kontaktoi me autoritetet e aeroportit, por nuk arriti të bënte asgjë, transmeton ‘a2news.com’.
Më tej, ai kontaktoi nipin e tij që udhëtoi nga Belgjika në Dyseldorf, aty ku bëri edhe një raport për policinë lokale, e cila kontaktoi me kompaninë e pastrimit që mirëmbante aeroportin. Më në fund, piktura u gjet në një kontejner të riciklimit të plehrave, ndërsa detajet se si ajo përfundoi nga tavolina e “check”-init në koshin e plehrave janë të paqarta.