Kushdo që kishte dyshime për prodhimtarinë letrare të gjeniut të letrave shqipe do zhgënjehet, pasi do të kuptojë nga kjo vepër se lartësia e mendimit të Kadaresë, mbetet gjithmonë e kthjellët dhe e unikale.
E ta mendosh se vetëm tri vjet më parë, lexuesit e shumtë të kandidatit për Çmimin “Nobel” në letërsi, morën në dorë një tjetër vepër të tij; “Kur sunduesit grinden”. Libri i ri është seria më e shtjelluar e bisedave me Kadarenë, ku ai i rrëfehet për jetën profesionale e personale të shkrimtarit, triumfet e zhgënjimet, historitë e dashurisë si dhe marrëdhenien me diktatorin Enver Hoxha.
Në një intervistë për AlpeNews.al, studiuesja e letërsisë Alda Bardhyli, rrëfen “prapaskenat” dhe sfidat e të punuarit me Ismail Kadarenë.
Pse tani “Kohë për rrëfim”, në 85 vjetorin e shkrimtarit?
“Kohë për rrëfim” erdhi pikërisht në këto kohë jo të qeta për botën si një komunikim që një nga autorët më të rëndësishëm të këtij shekulli bën me lexuesit e tij.
Në kohë të tilla njerëzimi I ka gjetur gjithnjë përgjigjet tek forca e letërsisë, tek shkrimtarët. Eshtë në ndërgjegjen e shkrimtarëve nevoja për të qënë të pranishëm, përballë një lexuesi të shqetësuar.
Si është pritur libri këto ditë?
Ka një interes të lexuesve të cdo moshe për ta lexuar librin . Kjo, ndoshta dhe për faktin se ky libër është një lloj biografie për shkrimtarin. E gjithnjë për lexuesit shkrimtari është i veshur me atë aureolën e misterit, që të gjithë duam ta zbulojmë,
Çfarë të reje do gjejnë lexuesit tek ky rrëfim i Kadaresë?
Kohë për rrëfim sjell para lexuesit gjithë dimensionin e një prej klasikëve më të mëdhenj të shekullit XXI. Kadare bën një udhëtim në kohë duke rrëfyer rrugëtimin e një jete, nga fëmijëria e hershme, Gjirokastra, vitet e rinisë, kur ai gëzonte frutet e modernizimit komunist, deri tek shkrimtari i regjur, sfidues dhe me dyshime mbi veten, raportin me Enver Hoxhën , vitet e fundit të diktaturës, jetën në Paris.
Ai ndërton shpesh absurdin dhe zymtësinë e jetës së një shkrimtari në Shqipërinë socialiste, duke vizatuar para lexuesit tmerrin e një jete nën diktaturë.
Kadare është një shkrimtar që shpesh ka qënë i kritikuar për raportet e tij me regjimin e Hoxhës. Ka pasur një tendencë të vazhdueshme nga detraktorët e tij për ti veshur figurës së tij, imazhin e një shkrimtari oborri. Ky libër por dhe konteksti i kohës në të cilën shkroi, tregon se krahasimi me disidentët e Europës Lindore, si Havel apo Solzhenitsyn, është i pa bazë. Kadare nuk është desident. Në Shqipërinë ku shkrimtarët përfundonin burgjeve apo të vrarë ishte e pamundur të kishe një të tillë. Por vepra e tij shkruar nën trysninë e një diktature të tillë, arriti të krijonte një Shqipëri paralele, gati magjike, një Shqipëri që u konfigurua aq bukur në përfytyrimet e lexuesit perëndimor.
Por përtej këtij raporti, lexuesi do të gjejë dhe detaje interesante nga ato që gjithnjë duam të dimë për jetët e shkrimtarëve sic janë raportet me dashurinë. Për herë të parë Kadare tregon historinë e një dashurie që përshkroi rininë e tij, duke shpalosur Tiranën e viteve 57-58 përmes kësaj dashurie. Për vetë kontekstin kohor në të cilën u zhvillua letërsia shqipe, por edhe tashmë pas viteve 90-të, vaniteti është një temë e munguar në diskutimet tona letrare. Në këtë libër Kadare ndan me lexuesin dhe pasazhe nga jeta e tij private, duke plotësuar disi atë pjesë ende të zbrazët në historinë tonë letrare.
A mund të na tregoni më tepër rreth kësaj historie?
Eshtë një histori dashurie që duket orvatet shpesh në kujtesën e shkrimtarit. Eshtë një histori e viteve të tij studentore me një shoqe kursi, ku ndoshta për herë të parë ndjeu dashurinë e plotë. Një histori e cila do të përfundonte me ikjen e tij drejt Moskës për studime në Institutin e Letërsisë Gorki. Unë kam lexuar disa nga letrat e tyre të dashurisë, letra që datojnë në vitet 57’ , letra të cilat shkrimtari i ka ruajtur prej gati gjysëm shekulli.
Për herë të parë Kadare flet hapur rreth këtij kujtimi të bukur, i cili do të jetë një lëndë për të gjithë studiuesit që do të studiojnë veprën e tij. Kjo histori lidhet dhe me romanin e tij të parë, Mjegullat e Tiranës.
Më parë kemi patur nga Kadare “Dialog me Alain Bosquet”, tani me Alda Bardhylin. Si ndiheni për këtë?
Ka qënë nder të dialogoja me një nga shkrimtarët më të mëdhenj të këtij shekulli, por dhe për memuaristikën shqiptare, e cila pasurohet me një rrëfim të tillë.
Letërsia e socrealizmit përshkrohet nga një mungesë e erosit. Ka pasur disa reagime mbi një përkufizim të shkrimtarit mbi gratë?
Ka një zhvendosje nga teksti dhe konteksti në të cilën është thënë ajo shprehje e artikuluar nga shkrimtari. Biseda jonë përpiqet të trajtojë pikërisht këtë mungesë në letërsinë shqipe dhe mënyrës sesi ndërtohet tabloja e personazheve gra në këtë letërsi. Morali është një element ndërtues, jo vetëm frenues dhe feminizmi nuk e kapërcen atë, vecse sjell thyerje të reja të linjës demarkative.
Pyetjet e e mia kërkojnë të kuptojnë dicka më tepër mbi këtë tablo, por nuk janë definitive. Ato paraqiten të tilla për të hapur debat, për të provokuar. Dhe është absurde të jetë ndryshe, kur dihet se jo vetem në letërsi por dhe në jetën e vet personale, Kadare ka qënë një njeri i pasionit dhe dashurisë, i flirtit a ndoshta dhe i cmendurisë për një grua apo disa, për të cilat ai jo pak ka shkruar.
Nga ana tjetër, pohimi i tij se ai nuk ka qenë i interesuar për “gra të mira”, duke patur parasysh konceptin e socrealizmit për gruan, tregon jo vetëm sfidën e tij ndaj sistemit, por dhe se në kërkimin e tij jetësor dhe estetik ai e di se gratë problematike sjellin ndryshimin, janë potenciale që me sjelljen e tyre transformojnë perceptimin dhe kuotat.
Më vjen mirë që kjo bisedë për personazhet gra në letërsi provokoi një debat, për lirinë e gruas, debat që vazhdon sot me forma me pak radikale, institucionale dhe morale
Sa kohe ka zgjatur ky dialog derisa erdhi ne duart e lexuesve?
Libri është i ndërtuar me biseda që kanë zgjatur në kohë. Kanë nisur në vitin 2017, kur botuesi i tij amerikan më kërkoi të shkruaja një biografi për jetën e shkrimtarit.
Përgjatë tri viteve kanë qënë kohë të vyera bashkëbisedimi, kërkimi por dhe rileximi të korpusit të veprave të tij për të realizuar një vepër për lexuesin perëndimor, i cili ka një qasje tjetër ndaj shkrimtarit, dhe një njohje të kufizuar me Shqipërinë. Një pjesë e këtyre bisedave janë në këtë libër.
Si është të bësh dialog me një shkrimtar si Kadare, i cili përshkrohet shpesh si një shkrimtar i ngrysur?
Ka qënë një përvojë e çmuar kulturore e profesionale, por dhe një sfidë.
Besimi që është kaq i vështirë të krijohet ndonjëherë mes dy njerëzve, në rastin tonë u krijua menjëherë, e kjo e bëri këtë dialog më të lehtë. Përsa i përket përcaktimit tuaj që Kadare është një shkrimtar i ngrysur, vetë shkrimtari e analizon në libër këtë shprehje që vesh shpesh portretin e tij, por dhe që u shkon shkrimtarëve Eshtë një model që ai e implementoi herët nga portreti i të atit, i cili ka pasur një ndikim në formimin e tij. Por në këto rrëfime kam zbuluar një Kadare plot humor dhe tepër të sinqertë.
A do ta botoni në Francë ku Kadare kalon gjysmën e vitit, apo diku tjetër, jashtë Shqipërisë?
Ky libër do të vijë së shpejti në anglisht e pse jo në frëngjisht një kulturë që i ka dhënë aq shumë shkrimtarit, e ku lexuesit e tij janë të shumtë.
Çfarë veçoni nga puna për përgatitjen e librit që ta ndani me lexuesit?
Janë shumë momente të vyera të një bashkëbisedimi që gjithnjë dukej sikur hapte portat e rënda të antikitetit, e para teje shfaqej Homeri, Shekspiri, Dante Aligeri, Eskili, Sofokliu. Kadare ishte gjithnjë një prej tyre
Do të veçoja raportin e tij të fortë me familjen, bashkëshorten por dhe motrën e tij, e cila ishte gjithnjë e pranishme në familjen e shkrimtarit. Kam zbuluar një Kadare tepër human e të ndjeshëm, një dimension krejt ndryshe nga ai portreti i “ngrysur” që ju cilësuat më lart.
Cila është pjesa më interesante e librit?
Përtej raportit të tij me regjimin komunist, diskutimeve që kanë sjellë në diskursin publik veprat e tij që pas viteve 70-të, një pjesë interesante e këtij rrëfimi është laboratori I tij krijues, pikëpamja e tij për gjuhën dhe letërsinë shqipe, identitetin europian të shqiptarëve, personazhe të ndryshëm të saj. Figura të njohura të letrave shqipe si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Eqrem Cabej, Sterio Spasse, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi etj, vijnë në një vështrim ndryshe nga Kadare, duke na vizatuar tablo të skenës letrare shqiptare në vite.