Në lagjen tonë të varfërisë,
mendja më rri tek një sokak,
pasdite e trishtë, mbushur farmak,
e djelë dhe gjethi nuk lëviz.
Nën diellin që përvëlon
një vajzë e vyshkur, pa shkëlqim,
ujit zambakët në ballkon,
pa zë, pa shpresë, pa hidhërim.
Asnjëri rrugës nuk kalon,
po dhe ajo nuk pret njeri,
ka veshur një fustan të ri,
që ndrin më kot dhe kuqëlon.
Si magjistricë gëlon një plakë.
Bri një rrënoje ndënë mur,
hij’ e fëmijës bredh mbi gurë
tinguj këmbanë vijnë që larg…
E ndën ato të errëta re,
do zhytet dielli pas pak.
Si psallmë e fundit veç ai zë,
prej tregëtarit endacak.
Gjithçka u step, u ndal atje.
Mbrëmja nuk thotë të vijë, mënon…
Dhe shpirti im buçet, gulçon.
E djelë pasdite, helbete!
*Titulli i origjinalit: Pasdite të trishtuara
Shqipëroi: Arqile Garo