Lul Beshaj: Ti m’ke harruar, unë nuk munda dot…

gabrielë aeroport babi te do fort, poezi nga Lul Beshaj

Poezi nga Lul Beshaj

Dhe e kam dashur sa nuk thuhet
dhe kur vetmuar më ka lënë
E ruajta, ku veç shpirti ruhet,
Por, sa e desha s’i kam thënë.

E si t’i thoja, thuhet zemra?
Një zemër aq me krenari
Që kish harruar sende… emra
Një mbante frymës, një njeri.

Po ja, zaten ky shpirti zhur
Që s’di pse rron mbi këtë dhé
Prej dashurisë rronte dikur
E shkoi sikur mbi botë nuk qe.

Po sont’ e zuri një tallaz
asaj që donte nis t’i flasë
“O Psalm, sot erdha të thërras.

Nga kresht e brengave rrëzuar
kurrë s’ka kjo zemër, as nga lotë
Ti përmbi dhe m’ke harruar?
Ti munde, unë nuk munda dot.

Po sonte lutje s’do të nis
As do të lutem më si murg
Shpirtin që rron prej dashurisë
Si mund ta kyç një varr, një burg?

Po thuam, të pyes, pa mua vallë
Rron mes të vdekurve e gjallë?
Por, përsëri ky shpirt do pres
Të dij pse rron, të dij pse vdes?

Dhe mos u trisht pse të kujtova
Jo unë, por zemra që të donte
Unë që një fjalë dot s’të tregova
Vendosi zemra sot ta thonte.

Ja rrudhat që më ngrysin ballin
Aty kanë ngrysur edhe mallin.
Tek sytë mos zbrit, s’do mundesh dot
Ka do rrënoja, ëndrra, lotë.

Mbi trupin tim, një varr-rrënojë
mos hyr, s’hyn dot kush dot s’jetoi.
Më poshtë mos zbrit, s’janë ato duar
Që për ty yjet kanë rrëzuar.

I puthi gjithë harresa shpejt.”

Dhe tha si Lulja mes dëbore.
gjithë ç’kish aty mungesa lënë
Ish zë i dhimbjeve njerëzore
Sa e kish dashur, s’i kish thënë.

Dhe flenë mbi dhe prej qindra vjet
Një shpirt që shkon dhe një që pret.



*Titulli i origjinalit: Pritja…

ObserverKult

SHIKO EDHE: VIDEO-POEZI: E di kjo botë pa ty sa dhemb?, interpreton Lul Beshaj