Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Shkëlzen Halimi.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Në kontekstin e lumturisë e përkryera është e paarritshme. Por, sa më shumë që do ta njohim veten, aq më afër lumturisë do të jemi. Në çastin kur do të kuptojmë se ka edhe lot gëzimi, atëherë mund të themi se lumturia është një ndjenjë që na bën të qëndrojmë vertikalisht në rrugën e mëtimit drejt të përkryerës, ndonëse jemi të vetëdijshëm se kurrë nuk do ta arrijmë.
Cila është frika juaj më e madhe?
Se jeta e njeriut po e humb kuptimin. Shikoni sa lehtë që merret një jetë. Sot të vrasin kot, lehtë, ftohtë, me ndërgjegje të pastër…Të vrasin për një dozë drogë. A e dini pse?! Sepse droga është bërë më e ëmbël se jeta.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Në rrethanat dhe kohën në të cilën jetojmë janë të paktë që duhet admiruar. Megjithatë, më bëjnë përshtypje ata që ecin rrugës së tyre, që nuk përgojojnë askënd, që luftojnë ndershmërisht për ta siguruar kafshatën e gojës, që nuk lakmojnë, por shohin hallin dhe punën e tyre. Mbase janë këta që bëjnë gjumë të qetë dhe pa kurrfarë ankthi.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Janë të shumtë. Do të identifikohesha me të gjithë ata që njerëzimit i kanë lënë vepra të mrekullueshme.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Vonë kam kuptuar se modestia dhe sinqeriteti i tepruar në një ambient të pamoralshëm dhe të pasinqertë të bën qesharak dhe ndonjëherë të dukesh edhe si Don Kishot. Por, është një tipar nga i cili nuk shmangem: bëj përpjekje maksimale për ta ruajtur higjienën shpirtërore.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Ata që shesin “dushk për gogla”.
Në cilat gjëra e teproni?
Në zbërthimin e gjerave deri në imtësi.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Ndoshta kur bëhet fjalë për shpëtimin e një jete.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Më pëlqejnë vendet (që i kemi sado kudo më afër nesh) që kanë histori, mistikë, magji, siç janë bie fjala, qytetet shqiptare: Berati, Gjirokastra, Shkodra, Korça, Prizreni, pastaj qytetet e shumta italiane, por edhe Stambolli…
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Në fakt”, “ natyrisht”…
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që e kam humbur kohën duke menduar se angazhimi im (deri në sakrificë) do të vlerësohet dhe që, duke dashur të mos e lëndoj askënd, ta mbaj në brendinë time të vërtetën që s’kishte të bënte fare me mua, por thjeshtë me ata, të cilët nuk doja t’i lëndoja.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Vazhdimisht në kërkim të së bukurës…
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të eci nga një shkallë dhe jo nga dy apo tri…
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Qëndrimi vertikalisht.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Nuk do të ktheja, sepse fati do të ishte i njëjtë e nuk dua sërish të përballem me dhimbjet e shumta…
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Si ai peshku i artë që plotëson dëshira…
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Të qenët përherë ky që jam, me të gjitha të mirat e të këqijat…
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Akulturimi që po i ndodh shoqërisë shqiptare përmes injorantëve në institucionet politike, sociale, kulturore, ekonomike…
Ku do të dëshironit të jetonit?
Aty ku paqja shpirtërore është e përhershme.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Të qenët racional.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Guximin.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Përballjen e suksesshme me sfidat e jetës.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Ismail Kadare, Teki Dërvishi, Huan Rulfo, Ernesto Sabato, Mihal Bulkakov, Kahled Hosein, Orhan Pamuk e shumë të tjerë…
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që në këtë kohë pa kohë arrijnë të mbijetojnë ndershmërisht.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Të luaja në piano.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Dritëro Agolli ka një poezi brilante të titulluar “Ëndërr e prerë”. Le ta kërkojmë përgjigjen në këto vargje të kësaj poezie:
Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh!
Ne ëndërronim një vdekje më të mirë:
Duke vdekur, fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës.
Cila është motoja juaj?
E ceka më lartë dhe po e përsëris: ruaje higjienën shpirtërore…
ObserverKult