Sot mbushen 81 vjet nga ndarja nga jeta e autorit të “Lahutës së Malcisë”, Gjergj Fishta.
Shkrimtari i madh shqiptar vdiq më 30 dhjetor 1940 në spitalin civil të Shkodrës.
Para disa vitesh janë botuar detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.
Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.
Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.
Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.
Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.
Gjergj Fishta u lind në Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Fillimisht punoi si bari, por shumë shpejt, kur ishte 6 vjeç, zgjuarsia e tij i bie në sy famullitarit të fshatit, i cili e dërgoi në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon mësimet në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë, afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm.
Gjergj Fishta ishte i pari shkrimtar shqiptar, i propozuar për çmim Nobel, prozator, poet, përkthyes; “Militant i letërsisë shqipe” – cilësuar nga Lasgush Poradeci dhe “Poet kombëtar i shqiptarëve” nga Eqrem Çabej.
Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin e popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime.
Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa, vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve dhe rrethanave kanë bërë që Fishta si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”.
Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.
Fishta arriti të botojë këngët e para të “Lahuta e Malcisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Tre vjet më vonë botoi përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika veset”, më 1913 boton “Mrizi i Zanave”. Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931, Greqia i jep dekoratën “Foenix “. Më 1939, Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.
Në tetor 1913 botoi revistën “Hylli i dritës”, ndërsa më 23 tetor 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Shkodrës, duke e lidhur atë me drita me xhaminë, për të treguar unitetin mes shqiptarëve. Gjergj Fishta mori shumë medalje të ndryshme nga populli i Shkodrës, i Beratit, mbreti i Austrisë, nga Greqia dhe Turqia. Vetëm pas viteve ’90-të, krijimtaria e Fishtës zuri vendin e merituar në letërsinë dhe në kulturën tonë kombëtare.
Deri më 1899 Fishta shkruante me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të 1899 ai u bë bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe.
Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër, deri atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai instaloi gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”.
U zgjodh kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare.
Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike, që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor të 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917) dhe më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, “Komisinë letrare” që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare.
Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, dhe politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit të 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar, zgjidhet nënkryetar, ku kreu veprimtari të denduara politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit më 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri dhe vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali, ku ndërkohë krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, tragjedive, etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë” në vitin 1937.
Lexo edhe: