Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Bardh Frangu.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Nëse besojmë në pandehmën se kënaqësia është fizike, ndërsa vuajtja shpirtërore, ideja më e mirë do të ishte sikur të balancoheshin këto. Ndryshe nuk e kam idenë për konceptin lumturi e përkryer. Në fakt nuk e di çka është lumturia, nëse me të nuk nënkuptohet udha që bëjmë në përpjekjet për ta përmbushur veten dhe për t’i dhënë kuptim brenda këtij universi.
Cila është frika juaj më e madhe?
Është frika ajo që na detyron të ndërtojmë konceptet tona mbi jetën. Vetë planeti po bëhet gjithnjë më i frikshëm, ndërsa ne si qenie në të, gjithnjë e më shumë po ndjejmë frikën dhe pasigurinë. Kam frikë nga pangopësia e shoqërisë së konsumit, sikundër dhe nga pafuqia për të ndërtuar një identitet të qëndrueshëm si kolektivitet.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Dalai Lama më erdhi në mendje i pari. E admiroi për besimin që ka se e vërteta mund ta mposhtë forcën.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Kam bindjen se qëndroj më afër Faik Konicës, ndërsa provoj të kultivoj oponencën kombëtare.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Para gjumit përherë harxhoi disa minuta që t’i bëjë një rikapitulim angazhimeve të ditës, përkatësisht takimeve me njerëzit. Shpesh pendohem pse kam folur më gjatë sesa është dashur me ta, përkundër që në parim flas pak.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Më iritojnë ata që kanë gjuhë e nuk kanë veshë, që të tillë tek ne ka shumë. Sigurisht që nuk më pëlqen hipokrizia, servilizmi dhe nënshtrimi.
Në cilat gjëra e teproni?
Me duhanin gjithsesi, po mbase edhe me durimin që kam.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Nëse nuk bëhet fjalë për ndonjë gënjeshtër artistike, përkatësisht aso që quhet gënjeshtër e bardhë, nuk e kam idenë se për çka vërtet do të mund të gënjeja.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Përtej udhëtimeve nëpër universin krijues, më pëlqen të bëjë shpesh xhiro me biçikletë rrugëve të qytetit tim deri tek kafeneja “Lisi”, ku luaj edhe ndonjë lojë shah, ndërsa këmbë më pëlqen të bëjë udhën nga Palestra e Sporteve deri tek Biforkacioni. Ndryshe Prevalla dhe Jezerci janë dy vende që më përmbushin me nevojën për lëvizje në hapësirë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
E pra!
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Vërtet njeriu është vetë mëkati, por nuk po më kujtohet ndonjë rast që më ka bërë të ndjehem keq, apo të pendohem, mbase jo në masën që të mos e harroj.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Sigurisht janë dy vajzat e mia.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Nuk e di a ka mundësi të jetosh në një shoqëri kaq depresive si kjo e jona dhe të ndjehesh i paprekur nga ajo!?
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Mirë do të ishte sikur të kisha më pak ndjeshmëri ndaj njerëzve dhe natyrës.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Që kam mbetur gjallë, përkundër shumë situatave kërcënuese, siç ishin ato të diferencimit politik, të burgut, të luftës, po mbase edhe këto të lirisë. Ndryshe tetë libra të botuara dhe mijëra faqe të shkruara në fushën e letërsisë dhe të publicistikës nuk janë edhe një arritje e vogël.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Shumëçka sigurisht, por logjika e përvojës ka moshën e vet që nuk kthehet.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Le që nuk kam ide për këtë, por edhe po të dua nuk mund ta ndërtoj një ide të tillë.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Besoj durimi.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Paditurinë, pa dyshim.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Zor të gjesh hapësirë joshëse në trojet tona, po megjithatë Shkodra më bën të ndjehem më afër identitetit tim.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Sinqeriteti dhe drejtpërdrejtshmëria.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Vlerësoj ata që janë të veshur me modesti.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Respektin që ka ndaj burrit për hir të dashurisë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Ka shumë, po në këtë rast po e veçoj Witold Gombrowicz.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Ata që zgjohen para diellit dhe kthehen në shtëpi me perëndimin e tij, ndërsa djersa u avullohet në trup.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Atë për muzikë.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Thuhet se kur vjen vdekja nuk ndodhesh aty, prandaj nuk e kam idenë për këtë.
Cila është motoja juaj?
Punë dhe vetëm punë, sepse Virgjili ka pasur të drejtë kur ka thënë se kënaqësia e vetme e njeriut është puna./Gazeta Observer