Nga Leon Lekaj
…Ishte ditë e shtunë. Meqenëse shoku i tij, me të cilin zakonisht shijonin nga dy shishe birrë me meze në lokalin më të vjetër të qytetit mungonte, atë ditë iu desh të shkonte i vetëm. Zuri vend diku në skaj të sallës së errët, sepse nuk kishte fort dëshirë që të dëgjonte krejt nga afër tingujt e orkestrës, që luante çdo të shtunë e të diel. Prej kohësh, banorët e asaj kryeqendre i kishin pagëzuar me fjalët “inxhinieri i kullës”.
Në largësi prej gati dhjetë metrash, i tërhoqën vëmendjen një palë sy të lëvizshëm, të gjallë e plot jetë. I lodhur prej orareve të zgjatura të punës, fillimisht kërkoi mos t’i jepte rëndësi, por shpejt mbërriti të kuptojë se e zonja e tyre, ishte tepër e aftë të ngrinte kurthe. Iu desh që në pritje të kamarierit të hapte librin e vogël, të cilin e mbante me vete kohët e fundit, më shumë për t’i dhënë të kuptonte se nuk i interesonte fort loja që ajo bënte, por prapë dështoi.
Në këmbënguljen që shprehte qe varë suksesi i saj, sepse kur çoi kryet me ndjenjë triumfi, duke menduar se tashmë ajo do ishte lodhur prej pritjes së gjatë, sytë e saj e përshkuan tej e tej. Edhe pse mjedisi ishte pak i errët, me llamba të vogla, të cilat qëllimisht shpërndanin ndriçim të pakët në sallë, shqisat e shikimit të vajzës që kishte përballë, ishte e vështirë që të mos i vije re.
Ajo çka në ato çaste Rudolf Shkira nuk dinte, ishte fataliteti, me të cilin po vishej ai takimi i rastësishëm. Vajza me shikim këmbëngulës ishte e bija e Vigjilent Dhelprës, shefit të sigurisë dhe inxhinieri nuk mund ta merrte me mend, se ajo do të hynte në jetën e tij si një paragraf i tmerrshëm, si paragraf i rëndësishëm, të cilin nuk mbërrijmë ta fshijmë asnjëherë prej librit të jetës.
E tillë ishte Marjeta Dhelpra.
Por atë ditë mbrëmja kërkonte të ishte e dashur me të. Ndërsa rreshtonte në trurin e tij të shpërndarë skena të ndryshme me vajzën që kishte përballë, në hyrje të lokalit u shfaq Irena, shoqëruar prej një burri të pashëm, të cilin ai e njihte vetëm nga larg.
Ishte krejt e lirshme. Me fustanin bojë qielli, të pikëzuar me topa blu dhe me një rrip, i cili disiplinonte krejt natyrshëm mesin e saj të hollë, ajo mori krejt vëmendjen e tij. Prej tavolinës ku rrinte, shihte rreth e qark se nuk ishte viktima i vetëm i saj. Edhe të tjerë bënin atë çka po bënte ai. Ndiqnin në mënyrë të fshehtë ecjen e mrekullueshme të saj.
Rudolf Shkira çoi gotën e birrës me fund dhe me zë pak të lartë se ai i zakonshmi shqiptoi:
-Kamerier, edhe një birrë, të lutem!
Ishte ajo kësaj here që u bë pre e zërit të tij. Ktheu kryet rrëmbyeshëm dhe këtë gjë e bëri duke mos u kujdesur aspak për kulturën e gjestit. Atij i pëlqeu të kalonte ndërmend ide të bukura. I pëlqeu që ta administronte atë çast si triumf krejt të beftë të ëndrrës, e cila sapo kishte marrë jetë në kryet e tij.
Po mendonte se krejt befas ishte magjepsur mbas saj. E ndoqi me sy deri kur zgjodhi tavolinën e preferuar dhe u ul diku pak metra larg, me fytyrë drejt tij. Iu desh të mendonte atë çast se ai, e bija e Vigjilent Dhelprës dhe Irena s’bashku me partnerin e vet, përbënin trekëndësh të admirueshëm në gjeometrinë e sallës. Këtë gjë ia kujtoi menjëherë vajza që rrinte e vetme përballë. Dukej si një kulm i zemëruar, ashtu me dorën nën mjekër dhe me shikimin të ngulur diku në thellësinë e ndërtesës së vjetër.
Atëherë nuk e dinte se ai zemërim do të përdridhej si gjarpër i madh e tinëzar, për të t’i mbështjellë gjithë shpirtin e për t’u shndërruar në grusht që gjuan. Në ato segmente kohe, ai mbërrinte të bënte vetëm një gjë: të ndiqte sytë e butë të Irenës, ato, të cilat mjaftonin t’i trazonin krejt qenien.
ObserverKult
Lexo edhe:
LEON LEKAJ: SINQERITETI ASHT’ ARMA MA E FORTË NË DUART E NJI TË NDERSHMI!