Poezia “Romancë në trotuar” nga Ymer Nurka
Fjalët, që pata në kujtesë
U mekën të gjitha për çudi,
Për ty çapkëne, unë për besë!
Me zor i gjeta dy, a tri.
Të vjetra janë, sa gjuha vetë.
Thënë-stërthënë pa fund mbi dhè.
Dashnorë të thekur dhe poetë,
Lëvizin eshtrat dhe atje.
I thashë pastaj, i thashë me zemër,
Ashtu siç zemra di të thotë;
“Me ty merr vlerë gjithë seksi femër,
Sikur e vetme të jesh në Botë”
Këto s’janë fjalë, që i merr era,
Këndohen, veç për një që do!
Të drejtë kanë dhe gra të tjera,
Të ëndërrojnë, se i them për to.
Mbi taka shkon me buzëqeshje,
Në kurm, me një fustan të tyltë.
Ç’mistere fsheh e jotja veshje,
Si tis i dritës, teksa vesh yjtë?!
Si ti, s’shëtit sot një e dytë.
Ndaj djemtë brofin me një “ah”
Burrat tinëz të hedhin sytë.
Harrojnë pastaj, kë kanë në krah.
As gratë, shpirtit, jo nuk heshtin,
Janë gati që të rrëzojnë me sy.
Se ti në xhiro u prish rreshtin,
E dot s’shëtisin dy nga dy.
Dikush thotë; “të hëngsha pjeshkën!”
Më tutje mekur rri një plak.
Mendon për ditët, që i reshtën,
Kërkon të jetë i ri, për pak.
Të duash ty, jo s’është e lehtë,
Të shuash etjen, veç me vesë!
Dikujt i ngjall motiv për jetë,
Dikujt i jep një shkak “të vdesë”.
ObserverKult
—————————
Lexo edhe: