Poezi nga Jozef Radi
Nji puthje t’braktisun e bana kopësht
e shëtita n’qiellin e dy syve t’humbun.
Asnji fytyrë s’m’u shfaq nga çilja e gonxhes,
asnji emën s’përmendën zogjtë n’fluturim.
Bari i butë kërkonte nji kambë ta shkelte,
kantilena e mbramjes si shi i ambël u derdhte.
Krejt lodrat e hanës n’qiell i qendisa
me penelin e lodhun të trishtimeve të mia.
Akrepat e ndryshkun t’nji ore të ndalun
i mësova me hecë mbrapsht si gaforre,
veç me m’kthye te ajo mbramj’e humbun,
te ajo mbramja, ku gjethet rrzoheshin të dehuna
nën tinguj të largtë kambanash t’plagueme…
Nji puthje t’braktisun e bana pyll
dhe humba shtigjesh me gjetë emnin tand…
ObserverKult
——————–
Lexo edhe:
IKJA E NANËS, POEZI NGA JOZEF RADI
S’po di duert ku me i vendosë
as sytë s’po di ku me i ndalë!
Shpirti yt çarçaf i bardhë
n’qiell të k’tij Marsi
ndër gëzhoja kallashnikovi varë.
Fjalët e tua
mbi krahë zogjsh mbetë,
dhimbja jote zbathë vrapon qiejsh
e s’ndalet as ndër baraka
te mbytuna lotësh,
as ndër brraka kohnash t’liga
Nyje në shpirt, o nanë
kjo lamtumirë e beftë!
Ike si engjujt ikin
si bora bahet kaltërsi u bane,
humbe nëpër kët t’vrazhdë marsi,
e s’di mos je mshehë mbas ndoj fije bari;
a mos kputë ndoj lule vjollce kund,
mos n’sqep të ndoj sythi je futë
o ndjek me petka nate kometën
m’u rishfaqë mbas njiqind vjetësh?
Poezinë e plotë e gjeni KËTU