Nga Jaime Sabines
Nuk dua të bind askënd për asgjë. Të përpiqesh të bindësh dikë tjetër është e padenjë, do të thotë të veprosh kundër lirisë së tij që të mendojë, të besojë apo të veprojë siç ia ka ënda.
Unë dua vetëm të mësoj, të shfaq, të tregoj, jo të vërtetoj. Secili le të mbërrijë tek e vërteta me këmbët e tij, dhe askush të mos e quajë të gabuar apo të mangët.
(E kush na qenka ai që na thënka: “kjo është kështu”, kur historia e njerëzimit nuk është gjë tjetër veçse një histori mospërputhjesh, hamendësimesh dhe kërkimesh?)
Nëse një ditë do të duhet të bind dikë, ky dikush duhet të jem unë vetë. Të bindem se nuk ia vlen të qash, as të brengosesh e as të mendosh për vdekjen.
“Plakja, sëmundja dhe vdekja”, e Budës, nuk janë gjë tjetër veçse vdekja, dhe vdekja është e pashmangshme. Aq e pashmangshme sa edhe lindja.
E bukura është të jetosh në mënyrën më të mirë të mundshme. Duke luftuar, duke u lënduar, duke ledhatuar, duke ëndërruar. (Por gjithmonë të jetohet në mënyrën më të mirë të mundshme!)
Për sa kohë unë s’mund të marr frymë nën ujë, apo të fluturoj (ama të fluturoj vërtet, unë vetë, me krahët e mi), duhet të më pëlqejë të eci mbi tokë, dhe të jem njeri, as peshk e as shpend.
Nuk kam hiç dëshirë të më thonë se hëna është ndryshe nga ajo e ëndrrave të mia.
Përktheu: Bajram Karabolli
ObserverKult
Lexo edhe:
JAIME SABINES: ASGJË S’MË MBETET PAS KËSAJ DASHURIE…
Poezi nga Jaime Sabines
Butësisht, padurueshëm, ti më lëndon.
Merrma kokën. Këputma qafën.
Asgjë s’më mbetet pas kësaj dashurie.
Midis gërmadhave të shpirtit tim kërkomë,
aty dëgjomë.
Diku aty ka mbetur zëri im dhe thërret,
kërkon mrekullinë tënde, heshtjen tënde që ndrit.
Duke kaptuar mure, mjedise, mosha,
fytyra jote (sa qartë duket fytyra jote!)
prej vdekjes vjen, prej dikurshëm,
nga dita e parë që botën të zgjojë.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult