Erenik Beqiri është regjisori i ri, i cili na bëri krenarë këtë fillimshtatori me fitoren në Festivalin e Venecias. Filmi i tij “A short trip” (Një udhëtim i shkurtër), u vlerësua në Venecia si filmi më i mirë i shkurtër.
ATSH kontaktoi Erenikun, i cili aktualisht është duke qëndruar në një rezidencë artistike në Francë, për të mësuar më shumë rreth tij.
Regjisori Beqiri ka lindur në qytetin e Pukës dhe është diplomuar për Regji Filmi dhe Televizioni, në Akademinë e Arteve (2010).
Ai tregon për mundësitë e pakta që ishin në vitet `90 për të pasur një qasje ndaj kinematografisë botërore. “Fillimisht njohja me filmin erdhi përmes kanaleve italiane e më pas me VHS dhe DVD.
Kohën më të madhe e kaloja duke parë filma, mbase më shumë sesa duke mësuar për shkollën”, rrëfen Erenik Beqiri.
Për të, lidhja me filmin ka ardhur natyrshëm, më shumë sesa një ëndërr. Sepse ëndrra, siç thotë ai, ngelet në kufijtë e joreales.
Kur e pyesim se kujt ia dedikon fitoren në Venecia, regjisori i ri thotë se mbi të gjitha është një fitore e gjithë ekipit realizues, gjegjësisht e aktorëve që u treguan të gatshëm të mos kursenin emocionet për personazhet, e stafit krijues, producentëve, drejtorit të fotografisë e me radhë.
“Do doja që çmimi të ishte për kinemanë shqiptare dhe shpresoj të krijoj mundësi për kineastët shqiptarë që të ekranizojnë ngjarjet e tyre nëpër botë, në mënyrë që të rritet interesi për Shqipërinë”, shprehet Erenik Beqiri.
Fitoren në Venecia, Beqiri e sheh si një vlerësim të jashtëzakonshëm, por ai nuk beson tek fama. Ai ndihet krenar për filmin e punën e bërë nga të gjithë dhe shpreson që çmimi të sjellë përshpejtimin e procesit të realizimit të filmave të tjerë, pasi çdo film ka vite pune nga pas.
“Mund të them nga përvoja se në industrinë e filmit, nuk ka asgjë të garantuar. Kjo pasi që janë shumë faktorë artistikë dhe ekonomikë, që duhet të përputhen në mënyrë që filmi të realizohet.
Mendoj që kryesorja është të mos heqësh dorë gjatë procesit.
Duke ditur se për Hollivudin, peshorja e suksesit, në fund të fundit mbeten të ardhurat që bën, e pyesim Erenikun se si e mat ai suksesin dhe si mund të sjellë të ardhura një film prej 17 minutash, por që i ka marrë 3 vjet kohë për ta realizuar.
Ndërkaq Ereniku shpjegon se, filmi i shkurtër nuk është një burim fitimesh siç mund të jetë një film i gjatë. Fitimet vijnë nga çmimet në festivale dhe shitja e të drejtave në platforma dhe kanale të ndryshme.
Prodhimet e Hollywood-it janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që duhet të sjellin fitime, pasi buxheti i tyre është investim i studiove.
Në Evropë modeli i financimit është më ndryshe. Filmat evropianë financohen nga fondet kinematografike shtetërore dhe secili film është një bashkëproduksion i disa shteteve për të arritur buxhetin e nevojshëm.
Për filmin “A short trip”, Erenik Beqiri nuk kërkoi mbështetje nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke qenë se një pjesë e buxhetit ishte gjetur.
“Për këtë projekt vendosëm bashkë me producentët që të mos aplikonim tek QKK, pasi do të aplikonim me filmin e gjatë. Sepse qëllimi kryesor është filmi i gjatë.
Kam disa vite që po merrem me zhvillimin e filmit të gjatë, i cili tani është në fazën e financimit”, thotë Beqiri, duke na zbuluar projektin e radhës.
Fituesi në Festivalin e Venecias mendon se ajo që të jep dorë për sukses është të tregosh një ngjarje e cila është e rëndësishme për ty. Diçka shumë personale.
“Sa më personale të jetë ngjarja, lidhur me krijuesin, aq më shumë janë mundësitë që filmi të krijojë rrugën e tij.
Përveç kësaj, kryesorja është të mos heqësh dorë, pasi i gjithë procesi zgjat shumë. E nëse pas gjithë këtyre viteve vazhdon të jetë ende dëshira për të realizuar filmin, kjo tregon që ka diçka që ia vlen të ekranizohet”, përfundoi Beqiri./atsh
ObserverKult
Lexo edhe:
KUJTOHU TË MË PUTHESH SYTË, NËSE VENDOS TË IKËSH
Poezi nga Andrew Faber
Mos u tremb nga rrëmuja!
Është pjesë e rregullit.
Do ndeshësh ca ushtarë roje
që hiqen si të ashpër,
por duan vetem përkëdhelje.
Do të lenë të hysh.
Frikën dhe ankthin mos i vështro.
Janë dy primadona,
që nuk presin tjetër
veçse të duken bukur në sytë e rishtarëve.
Vazhdo përpara,
pak kanë për të të rrëfyer.
Sapo të kalosh kthesën e shpresës,
mes pavetëdijes dhe arsyes,
(do jesh në gjendje ta bësh?)
do përballesh me të miat dëshira.
I shikon ato me shkrim dore?
Ja, për ato zgjodha një fustan elegant.
Për të ndaluarat e humba çelësin.
Por nuk jam në burg.
Tashmë, je që je,
çliromë paksa nga çmenduria.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
FATOS ARAPI: MË THIRRE, ERDHA…
Poezi nga Fatos Arapi
Më thirre? Erdha.
Se erërat pas erërave shkojnë,
dallgët pas dallgëve.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult