Pyetësori i Prustit/ Arti Lushi: Përpiqem të nxjerr më të mirën te çdokush!

arti lushi trupi im

Pyetësorit të Prustit në ObserverKult i përgjigjet shkrimtari Arti Lushi.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?

-Një siguri financiare, qysh në krye të herës. Mandej, të ndjek pasionet e mia dhe të jem i rrethuar me njerëzit që dua.

Cila është frika juaj më e madhe?

-Humbja e familjarëve. Unë jam produkt dashurie dhe dashurinë më së shumti e kam marrë në familje. Jam i bekuar për këtë dhe lutem për forcë për ta përballuar humbjen e dikujt që e dua fort.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?

-Përpos prindërve, që ua çmoj dashurinë dhe sakrificën e pashoq, çdo njëri të cilin e kam njohur gjatë rrugëtimit tim dhe kam patur mundësi të rritem dhe të mësoj.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

– Po zgjedh Perandorin Mark Aurelin, pasi është një personalitet që ngërthen edhe zgjuarsinë, edhe forcën dhe intuitën për të sintetituar natyrën e jetës.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?

– Për disa çështje do të doja të isha më i vendosur apo radikal.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?

-Vulgaritetin. Dhe këtu përfshihet injoranca, ligësia, fodullëku.

Në cilat gjëra e teproni?

-Me tymosje, me alkol. Ndonjëherë me virtyt.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?

– Takti. Gjithmonë për një të mirë më të madhe dhe/ose për të mbrojtur dikë që e dua dhe e vlerësoj shumë.

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?

-Jeta me gjithë sprovat dhe bekimet e saj. Është proces. Çdo gjë që na afron me thelbin e saj.

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?

– Të kuptoj. Është epitomë e vëmendjes dhe empatisë. Nuk do të thotë vetëm që je dëgjues i mirë, por solidarizohesh me dhimbjen dhe shqetësimin e tjetrit. Je, praktikisht njeri.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?

– Që mund të kem lënduar në njëfarë mënyre dikë. Ka qenë e paqëllimshme porse, nga ana tjetër, kam thënë atë që kam menduar dhe ndjerë se është e drejtë në ato momente. Gjëra që ndodhin.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?

– Dashurinë e familjen po e përjashtojmë vetiu. Mbetet ende i hapur dhe besimplotë për ta njohur Dashurinë e Madhe.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?

– I qetë, i pjekur, me pasiguri të vogla por shpresëplotë.

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?

– Është një varg i Tennessee Williams: “Vritmi gjithë demonën dhe më ke vrarë po ashtu gjithë engjëjt”.  E pranoj veten kështu sikurse jam.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?

– Që nuk kam humbur veten, shpirtin. Që kam dhënë më të mirën në çdo sprovë dhe çdo njeri që më ka përballuar jeta. Që nuk jam dorëzuar jam përpjekur të nxjerr më të mirën te çdokush.

Që jam Njeri, mbi të gjitha. Dikush që ka ruajtur shpirtin, integritetin dhe dinjitetin. Madje edhe atë dell çmendurie kam mundur ta përkthej në autenticitet dhe analgamë krijuese.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?

– Është një pyetje që në një mënyrë apo tjetër, ka lidhje me një pyetje që artikuluar më sipër.

Po bëhem Brisk Okami: Asgjë. Sepse jeta, ashtu sikurse krijimi i vetes, është proces. Nuk mund të jesh ky që je, nëse eleminon dyshimet, pasiguritë, dilemat, brengat, keqardhjet, gabimet, fajet… çdo gjë që të bën  Njeri, pra.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?

– Vullnetin e lirë, karakterin dhe shpirtin.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?

– Kur nuk do dhe nuk respekton veten. Me pak fjalë kur humb shpirtin.

Ku do të dëshironit të jetonit?

Borges thonte që më pëlqen të jetoj në Zvicër, pasi aty njerëzit nuk e njohin emrin e presidentit. Përpos Zvicrës, do dëshiroja të jetoja jo përgjithmonë edhe në New York, Kyoto, Budapest dhe Jerusalem.

Cila është cilësia juaj më e veçantë?

-Një dashamirësi gjenuine shartuar me urtësi dhe një grimcë çmendurie.

Çfarë vlerësoni tek një burrë?

– Burrërinë. Të qenit kurajoz, bujar, serioz, korrekt dhe i vendosur.

Çfarë vlerësoni tek një grua?

– Femërsinë. Të jetë një mike e mirë, mbi të gjitha. Të kem çfarë të komunikoj. T’i besoj… Që do të thotë, të jetë inteligjente, të ketë takt, klas, botë, empati dhe të jetë njeri i mirë. Nuk do doja të ishte sipërfaqësore dhe vulgare.

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?

– Më mirë të zihen herë pas here me njëri-tjetrin sesa të jap jap një përgjigje të prerë dhe shteruese: Borges, Kafka, Kamy, Celine, Dostojevski.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?

– Kam rezerva dhe dyshime të arsyeshme për konceprin e heroit. Anipse klishe po përmend prindërit e mi që falë punës, dashurisë dhe sakrificës ia kanë dalë me dinjitet jetës.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?

– Përulësinë. Talentin për ta qepur gojën dhe për të qenë i hapur për të nxënë sot e gjer sa të jem gjallë.

Si do të dëshironit të vdisnit?

– Besoj kam patur një jetë plot ulje-ngritje dhe me aventura. Vdekjen do të doja ta kisha sa më mediokre. Në shtrat, kurdo që ta ketë shkruar Hyu, i rrethuar me njerëzit që dua.

Cila është motoja juaj?

– Është një ndër ato pyetje që, edhe nëse nuk ke një moto, të vë në mendime për ta shpikur një të tillë. “Unë jam në Zot dhe Zoti është në mua”.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA ARTI LUSHI: TË KESH NJË ËNDËRR

ARTI LUSHI: ËNDRRA QË KAPROLLI XHOI PA NJË NATË PA HËNË NËNTORI

ARTI LUSHI: METAMORFOZA E AKILIT