Agim Poshka, këngëtari nga Struga si fëmijë e filloi rrugëtimin artistik duke mos u ndalur më në fushën e artit. Paralelisht me këndimin, ai shkroi tekste, punoi si DJ, valltar e moderator. Ndërsa ka 23 vite që është profesor në Universitetin e Evropës Juglindore .
Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi /ObserverKult
Në fëmijërinë, adoleshencën e hershme keni kryer kurse për mandolinë, kitarë. A ishin këto instrumente që u bënë shkak ose e hapën rrugën të hyni në botën e muzikës?
Agim Poshka: Po, në fillim isha pjesë e orkestrës së shkollës për mandolinë bashkë me motrën time. Isha 11 vjeç. Pastaj, gjatë viteve të gjimnazit prindërit më kanë blerë kitarë për ditëlindje dhe kishin aranzhuar edhe orë private për kitarë.
Unë veç kisha marrë zjarr për muzikën pasi punoja edhe d.j. në radiot lokale. Në atë periudhë profesori i ri i kitarës me emrin Ymyt Zendeli që ishte edhe këngëtar më tha që ‘kitara do të kërkoj që të këndosh, sepse ndryshe nuk je interesant për vajzat’.
Mua mu duk si një derë e madhe e mundësive për botën time të adoleshencës së asaj kohe. Kështu fillova një fazë të re muzikore dhe kitara u bë mik i pandarë dhe është akoma shumë e vlefshme për mua.
Kush e zbuloi talentin tuaj për këndim?
Agim Poshka: Ishte vet profesori im i kitarës prof. Ymyt Zendeli që tani nuk jeton më dhe unë e kujtoj shpesh. Ishte një personazh që ka pasur statusin e një legjende lokale muzikore në Strugën e adoleshencës sime dhe ka pasur mjaft influencë pozitive te shumë muzikantë në Maqedoni.
Në shumë sfera keni qenë i angazhuar, keni punuar si DJ, valltar, edhe moderator?
Agim Poshka: Po, ka qenë një periudhë ku desha ta sfidoj veten dhe mendoj që nuk kam dalë keq. Sfida ime më e madhe ka qenë puna në Akademi. U bënë 23 vite që jam profesor në Universitetin e Evropës Juglindore dhe i kam ecur ngadalë por me sukses të gjitha shkallët akademike. Në 5 vitet e fundit jam profesor në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimeve. Kanë qenë vite që më kanë mbajtur larg muzikës por kam studiuar dhe shkruar shumë për fushën e Gjuhësisë së Aplikuar.
Deri më sot si ka qenë rruga juaj në muzikë?
Agim Poshka: E bukur dhe jo shumë intenzive. Kam dashur që të mbetet pasion dhe jo profesion pasi pasionin mund ta shijosh më gjatë nëse nuk është mjet i ekzistencës financiare.
Gjatë periudhës së luftës në Kosovë keni punuar në një organizatë amerikane, punë që kishte të bënte me ngjarjet në atë kohë. Pra, diçka jashtë profesionit tuaj. Si e kujtoni atë kohë?
Agim Poshka: Ka qenë një periudhë mjaftë e vështirë por jam ndjerë mirë kur deponuam mjaft dëshmi për krimet e Serbisë mbi popullsinë civile. Unë si gjuhëtar i ri në vitin 1998 kur sapo isha kthyer nga studimet në Londër u angazhova nga një organizatë ndërkombëtare dhe detyra ishte të mblidhnim të dhënat mbi krimet e luftës që po ndodhnin brenda në Kosovë.
Ne ishim stacionuar në Tiranë dhe në vitin 1999 lëviznim me helikopterët e ushtrive aleate nëpër të gjitha kampet në Shqipëri ku kishte popullsi nga Kosova dhe regjistronim krimet e shkaktuara nga shteti serb brenda Kosovës.
Intervistat ishin mjaft emocionuese dhe të vështira për tu regjistruar pasi kishte pafundësisht krime, raste vrasjesh dhe përdhunimesh që duhej regjistruar. Në çadra shpesh ishin familjet e viktimave ose viktimat e abuzuara. Nga ne duhej ta bënim punën me profesionalizëm duke mos u përfshirë emocionalisht te dëshmitë por më thoni ju se si do ndjeheshit si shqiptar kur dëgjoni raste të përdhunimeve të vajzave shqiptare përpara familjes se tyre?
Rregullat e punës megjithatë kërkonin që të ishim të qetë dhe të ndjekim protokollet pa emocione. Ishte një eksperiencë e vështirë dhe shumë nga kolegët e mi e lanë punën pasi dëshmitë ishin shokuese dhe shpesh herë shqetësuese edhe pas disa ditëve.
Situata u vështirësua veçanërisht gjatë 1 dhe 2 Majit atë kohë kur kishte pastrime etnike në Gjakovë dhe ne u transferuam në Kukës në ato ditë të egzodit kombëtar për të intervistuar viktimat që sapo kalonin kufirin. Kishte shumë lot dhe dhimbje, por sot jam i kënaqur që një pjesë të këtyre dëshmive u përdorën në gykatat ndërkombëtare sapo mbaroi lufta.
A ka ndikuar kjo punë,emocioni, situata që ju të realizoni edhe këngë për Kosovën… ?
Agim Poshka: Pa diskutim që po. Por edhe përpara ekzodit të vitit ’99, shqiptarët në Maqedoni për vite me radhë i kishin sytë nga Kosova.
Midis tjerave babi im kishte studiuar në Kosovë dhe ishte i burgosur politik gjatë viteve të studimit dhe realiteti i Kosovës dhe këngët e Ilir Shaqirit për liri e barazi ishin përditshmëri në shtëpinë tonë. Unë edhe shumë vite pasi lufta kishte mbaruar, pra në vitin 2021 përsëri konkurrova në Festivalin e Këngës në Radio Televizionin shqiptar me këngën “Vendi Im” që i dedikohej fëmijëve të Reçakut dhe viktimave të luftërave absurde ballkanike.
Të ndalemi tek Festivalet ku pjesëmarrja juaj ka qenë e shpeshtë vite më parë. Si i shihni sot festivalet?
Agim Poshka: Mendoj që tregu është liberalizuar shumë dhe festivalet nuk kanë atë peshën që kishin dikur. Megjithatë mua më pëlqejnë festivalet. Si kompozitor më jep kënaqësi që një vepër muzikore e shkruar nga unë të luhet nga një orkestër e mrekullueshme simfonike.
Ky është një luks për çdo kantautor. Natyrisht që çdo skenë ka edhe prapaskenat e veta dhe ne nuk jemi perjashtim por unë e dua muzikën dhe kjo është e mjaftueshme për mua.
Apo vlerësohen sot sa duhet këngëtarët që këndojnë këngë të mirëfillta?
Agim Poshka: Natyrisht që jo. Por kjo po ndodhë në të gjithë botën. Ka një krizë që po kalon i gjithë globi dhe ne si komb më i vogël nuk mund t’i shmangemi këtij fenomeni. Ajo që po më shqetëson është se kam pasur një pritje më të madhe nga bashkatdhetarët tonë që jetojnë jashtë trojeve etnike dhe kam pritur që shijet e tyre të jenë më të rafinuara sepse ato e shohin botën nga një kënd më liberal, por megjithatë epidemia e muzikës tallava shumë herë stimulohet nga disa bashkatdhetarë tonë që kanë lirinë e plotë që të dëgjojnë dhe zgjedhin muzikë më cilësore.
Megjithatë ata kur konsumojnë tallava nuk helmojnë vetëm veten e tyre por edhe për brezin e ri i cili duhet të jetë pjesë e shëndoshë e traditës dhe trashëgimisë tonë kulturore.
Natyrisht që ka përjashtime por siç kemi parë edhe nga letërsia dhe fusha e Albanologjisë, ruajtësit kryesore të vlerave dhe traditës tonë shpirtërore ishin shqiptarët në emigrim siç ishin arbëreshët që nga fillimet e Jeronim De Radës, apo Vatra në Amerikë dhe kolosët si Fan Noli në Boston. Sot edhe për arsye të globalizmit kjo është bërë akoma më e vështirë.
Muzika tallava, cili është mendimi juaj për tallavanë, si ’zhanër i krijuar dhe i pëlqyer viteve të fundit’?
Agim Poshka: Muzika tallava është një improvizim i thjeshtë muzikor që ka qenë prezent në muzikën rome dhe viteve të fundit është përfshirë thellë në kaosin muzikorë shqiptar. Sigurisht që nuk është muzikë e traditës shqiptare dhe nëse duan ta dinë se nga vjen kjo influencë lirisht për 2 minuta e gjejnë përgjigjen në videot në You Tube ku këndohet tallavaja në gjuhën origjinale që është gjuha rome.
Për mua është një krim me të cilin duhet të merren institucionet e shteteve tona. Nuk kam asgjë kundër kulturës së pasur rome, por thjesht iritohem nga këta hajdutë që ju pëlqejnë të zëvendësojnë traditën shqipe për pak para.
Vaso Pasha ka thënë që kultura shqiptare mbijetoi 2000 vite nën sundime dhe regjime të ndryshme. E tani që jemi të lirë në disa shtete të lira shqiptare ne e zëvendësojmë traditën me një kulturë të huaj!
Si e shihni karrierën e juaj pas dhjetë vitesh?
Agim Poshka: Nuk besoj që do ndryshoj shumë. Do të vazhdoj të shkruaj muzikë për veten dhe miqtë e mi dhe do t’i rri besnik vlerave të kulturës së vendit tim.
Ku është Agim Poshka tani, i përkushtuar në muzikë, apo profesionet e tjera që keni…?
Agim Poshka: Jam profesor me orar të plotë, por vazhdoj edhe një biznes familjar që e kam trashëguar me prindërit por e kemi avansuar tani edhe më shumë me bashkëshorten time. Bëhet fjalë për një kompleks hotelerik dhe me restoran që është në qendër të Strugës buzë shetitores të lumit Drin. Quhet “Struga Riverview Hotel” dhe ka qenë në fokusin tonë në tre vitet e fundit dhe po na sjell shumë satisfaksion.
Po në ndonjë projekt të ri muzikor, a jeni duke punuar së fundmi?
Agim Poshka: Po shkruaj disa materiale muzikore për miqtë e mi muzikantë, poashtu sapo mbarova disa kompozime për mua dhe vajzën time 10 vjeçare. Kam bërë viteve të fundit disa këngë në formë hymni për institucione të ndryshme dhe do më pëlqente edhe të shkruaj muzikë filmi sepse jam një fanatik i madh i fimit dhe kinematografisë.
Një porosi për muzikantët e rinj, por edhe për ata që e duan muzikën e juaj?
Agim Poshka: Përpiquni të jeni vetja juaj. Veten tuaj mud ta bëni më mirë se çdo kënd tjetër. E dimë që në këtë kohë vlerësimet janë me klikime dhe shikime por kjo nuk duhet dekurajoj askënd.
Muzika ka mbijetuar edhe kur nuk ka pasur as radio e as internet, pra nëse shkruani muzikë të sinqertë do jetë dhurata më e mirë që ja dhuroni fëmijës tuaj dhe vendit tuaj.
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM POSHKA: TË KAM, S’TË KAM (TEKSTI DHE KËNGA)
Ju ftojmë të dëgjoni këngën “Të kam, s’të kam” interpretuar nga Agim Poshka. Teksti dhe orkestrimi i kësaj kënge po ashtu është bërë nga Agim Poshka.
U bënë kaq kohë që po të pres
si nuk më dhe një ditë shpresë,
pastaj ik dhe të vdes,
se pa ty po vdes
si se pata një pikë fat,
kërko ditë e kërko natë,
nuk e bëj gjumin rehat,
oh…jo pa ty
Më pëlqen, të pëlqej,
më gënjen, s’të gënjej
Unë të pres, e ti s’vjen
hajde moj çapkëne
hajde se më çmende,
do t’i them ca gjëra
pse…pse nuk vjen
sonte zemra të kërkon
sonte loti për ty pikon,
mike e zemrës, më mungon
mike pse s’vjen
Si se pata një pikë fat,
kërko ditë e kërko natë,
nuk e bëj gjumin rehat,
o… jo pa ty
Më pëlqen, të pëlqej,
më gënjen, s’të gënjej
Unë të pres, e ti s’vjen
Tekstin e këngës dhe videon mund ta shikoni duke klikuar KËTU:
VIDEO: KËNGA KONKURRUESE E AGIM POSHKËS NË FESTIVALIN E KËNGËS NË RTSH
Agim Poshka është këngëtar i njohur i muzikës së lehtë dhe pop.
Pjesëmarrës në skenën muzikore shqiptare prej më shumë se 20 vitesh. Agim Poshka është fitues i shumë çmimeve në koncerte .Po ashtu në evente prestigjoze si “Nota Fest”, “Këngët e Stinës”. Po ashtu edhe në “Top Fest” etj.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult