Cikël poetik nga Lindita Ahmeti: Jam mbështjellë me natë… edhe shtëpia ime me heshtje…

lindita ahmeti

Ju ftojmë të lexoni një cikël me poezi nga Lindita Ahmeti, e cila sot u nda nga jeta:

Elegji për vëllain

Jam mbështjellë me natë
Edhe shtëpia ime me heshtje
I panjohuri ecën dhe kruan kryet
Në dritë të hënës
E di vëlla
Edhe ai të mendon
E di të ka njohur edhe ai
Me mijëra e mijëra vetë të kanë njohur
Po askush s’e di
Si je ballafaquar ti me panin për mua
Me britmën e tij
Midis pyllit të dendur e territ
Vetëm ti dije të gjesh dritë edhe nga atje
E të ma sjellësh mua
Vëllai im o vëlla
E t’i hapje shtigjet e lumturisë
Vëllai im o vëlla
Në çastet kur të prisja të vish me lule
Tri javë
Sa tre shekuj
Sepse i dija mundësitë tua homerike
Në vend të dorës tënde me tufën me lule
Erdhi e enjtja dita e shenjtë
Erdhi pa dritë
Me një mal melankolie
Dhe me rrufenë e të parit të dymbëdhjetëshes
U fik dita jonë
Ti u bëre Faetoni vetë
E unë heliadë
Vëllai im o vëlla
Vetëm ti në atë çast më ke shikuar drejt në sy
I shkëmbenim lotët e pikëllimit si shtatë mështeknat
I mbushnim liqenet e Lurës me kokrra qelibari
E nëpër gjëmë në trungun e thatë në breg të liqenit
Me emrin tënd
Trokiste një dorë e ftohtë
Vëllai im o vëlla
Po as kjo rrufe lemerie nuk do ta prishë kurrë
Atë raport hyjnor që kemi
Vëlla e motër
Atë butësi e ngrohtësi të përcjellë me fjalë të zëshme
Se ne fjalën e kemi vegël të artë pune
Vëllai im o vëlla
E heq tash fuqishëm mbështjellcën prej nate
Sepse neve na lidh drita
E ndërpres heshtjen në shtëpi
I qasem fjalës
Sepse neve na lidh fjala
Fjala e shenjë e përjetësisë
Vëllai im o vëlla.

Udhëtimi i babait nëpër këngën e vjeshtës

hapat e babait nëpër natën vjeshtore me selenën e purpurt që hedh dritë në shteg
e nxisin komunikimin me qetësinë e pyllit
dhe kuptohen mirë mes vetes babai e qetësia
babai ndonëse e ka një pyetje nostalgjike për vjeshtën
s’e thotë me gojë
s’e turbullon qetësinë
po e shkruan pyetjen në fletët e heshtjes ulur në rrënjën e bungut
janë foljet e shpërndara gjithandej që e çojnë babanë të ngrihet në këmbë
ecën ai
ndërsa gjethet e thata zgjohen dhe bëjnë muzikë xhazi nën këmbët e lodhura të plakut
pastaj fryn pak eoli
tingujt e butë të erës së freskët kur i ledhatojnë gjethet
dhe dalja në skenë e mbiemrave të përmallshëm
janë në të vërtetë përgjigje e vjeshtës për babanë e cila pëshpërit
ju iku vera e blertë
ju iku vera e blertë
zogjtë të renditur si fjalët e demostenit para athinasve
kur filipi futej në polis me ushtarët e tij
kërkojnë shpresën e mirë duke lënë mbrapa ngjyrat e vjeshtës
pastaj tingujt e freskët të gjetheve të thata kërcëllojnë
bëhen vërejtje për krijesat e imta të pyllit
për merimangat që prodhojnë mëndafshin më të mirë
për mizat gjarpërinjtë minjtë buklat e shqarthat
për ndonjë hardhucë të blertë që s’ndalet së vrapuari nëpër bar pas ndonjë kandre
dhe për breshkat që e demonstrojnë hijerëndësinë kur ecin
dhe ta merr mendja edhe për sutat e buta që e zbukurojnë pamjen e pyllit kur i bie hëna
për të gjithë banorët e gjelbërimit që janë rehatuar në mbretërinë e gjumit
jepet alarmi e shtohen thirrmat e larëve
kujdes
ndonëse babai shpërndan ëndrrën e bukur në këtë mbretëri magjepse si gjithmonë
bota e pyllit ka rendin e vet dhe e dëgjon vetëm përvojën
e veshur me njëqind ngjyra që hedh hëna ajo shkon shtigjeve të saj
pa e dalluar babanë nga kalimtari i pakujdesshëm i cili kënaqet kur shkel flutura
dhe babai ecën ecën nëpër këtë botë që e bën të prekshme vetminë
dhe me gjithë kujdesin që ka
ndonjë thnegël e pëson prej këmbës së tij
duke dështuar në luftën e egër të darvinit për një kënd të padukshëm ngrohtësie
kapërcejnë pastaj nëpër mendjen e babait foljet e ngarkuara me pikëllim
për një mijë këngë të lisnajës që treten
pastaj babai ulet sërish në rrënjë të bungut
përballë një ketri që kërcen nga imazhi në imazh
atëherë visorja e hap faqen e magjisë së saj
në dritë të këtij tregimi shfaqen kuqëloret si ombrellat e zanave
vendosur nëpër shtigjet kah kalon diana
dhe dalin si në shuplakë pikturat e pyllit
babai vazhdon udhën
vihen në lëvizje mijëra zëre nga frika kur ofshan ai nga pesha e udhëtimit
kjo në pyll merret si bori e faunit
babai i heq këpucët atëherë dhe i dorëzohet harmonisë së pyllit
e koha rrjedh
duke sjellë mëngjesin e kuqërremtë
harabelat nëpër degëzat e kaçubave dhe të fijeve të barit të gjatë me fara të imta
e ndërpresin ëndrrën
ia nisin këngës korale
dhe bashkë me kandrat e hapin librin e muzikës
me tinguj të cilët nga shporta semasiologjike e asaj bote e shpërfaqin hijeshinë
e kërpudhave kuqëlore
të mijëra e mijëra kuqëloreve që e stolisin pyllin
dhe e gjithë kjo do të jetë një poezi e pashkruar e sapfos që është dashur të bëhet himn
për mrekullinë e kuqëloreve
midis të cilave kalon zbathur
në majë të gishtave
im atë i mirë
dhe të cilat i mbledh e i ruan nimfa në herbariumin prej papirusi
e që më vonë do të flasin
si një ditar i shkruar shqip.

Shqipëria ime

Shqipëria është krijuar në fund të qershorit nga drita e xixëllonjave
kur dalin si fenerë të imtë magjikë dhe i mbulojnë male e fusha,
sa bëhet gati të ulet në fron perëndesha florë në mbrëmjen hyjnore
e ta shpërndajë erën e mirë të trëndafilave e të luleve alba,
të cilat ia bëjnë me dije erebit se nuk mund të ketë vend në këtë të vërtetë,
sepse këtu vazhdimisht çelësin do ta ketë në dorë vetëm aurora.

Shqipëria është krijuar nga ëndrra më e mirë e rrufetarit, mu pranë detit,
duke e lënë aty shqiponjën e bardhë të bëjë roje
në shtëpinë e gurtë të Kadmit e të Harmonisë, që u caktuan të jenë të Parët Mitikë
e që shpikën lule e shpërndanë shkronja për librin e parë nga Sharri nga Tomorri  nga Bjeshkët e Nemuna.

Shqipëria ka dalë prej zërit yllësor të orfeut
dhe është bërë këngë e lumit malor,
fluturim i amshueshëm i pëllumbit të bardhë,
valle e zanave me lisat e gjatë e me korin e trumcakëve,
të cilën përballë persefonës e ka lozur osman takja.
Në këtë vend vazhdimisht bredh i biri i afërditës
e pastaj e shpërndan nëpër botë  kuptimin e dheut që është sinonim i emrit të tij.
Prandaj djemve kësulëbardhë kah bredhin përfund degës së parë të trungut të gjuhëve
u shkëlqejnë si dielli flokët e praruar e u kumbojnë fjalët.
Nga sytë e tyre reflektohet magjia e liqeneve të Lurës,
ndërsa këngën e kanë vazhdim të këngës së linit.

Kjo është Shqipëria ime!

Shqipëria është një trëndafilnajë e vendosur mbi shkrepa
ku banojnë shpresat më të bukura,
ku nga rrënjët e rrapeve mijëvjeçare
burojnë ujëra të argjendtë
e ku dëgjohet edhe sot tregimi i gurrës së Dodonës.

Shqipëria është orakulli ku vashat e kanë zbuluar fronin e birit të diellit,
ajo është bari i mirë që sot shëron plagët e rënda
të hapura nga Era e Kuqe;
është muri kundër furtunës polare me arushën e tërbuar.

Shqipëria herë është bletë në lulet parajsore
herë është pikturë e adem kastratit
pastaj del si një varg rruazash të bëra prej mija kokrrash xhevahiri
Shqipëria është djega ime.

Letër vëllait

(Me rastin e ditëlindjes)

Asgjë të re s’ka o vēlla
Gjërat janë të vjetra
Edhe të tjerat
Pemëve u bie sëmundja
Si gjithmonë
Kullës i bie gëlqerja
Si e di
Motër e jozefit u kthye
Në degë të manaferrës
E njëjta punë
Vetëm unë jam tjetër
Vetëm unë ta dëgjoj zërin.

ObserverKult


Lexo edhe:

U NDA NGA JETA POETJA E NJOHUR, LINDITA AHMETI