Asgjë s’ishte siç ishte njëherë!
Nga Çun Lajçi
Po Gim, isha në Kaiserstrase, n’rrugën e narkomanëve dhe prostitutave! N’rrugën e ndyrë t’Frankfurtit!
Mos qesh more kodosh, mos m’shiko si Shën Mhilli hipur n’rrezet e diellit, se nuk shkova ta mas me ushkur Allamanin! Boll po m’del Kosova, herë me Veriun herë pa Veriun!
Shkova t’pi kafe të Ceni e t’ha drekë të Behrami. Aty i lam kur po digjej Kosova! Ti kot u thoshe, – n’viti 1999 do t’vijë liria, përgadituni të ktheheni n’Llap! Ata nuk ta kishin marrur seriozisht fjalën, – aty i gjeta. Ceni të Eise Fortuna e Behrami të Restorant Ballkani!
Po Gimi po, shkova të rruga e gjurmëve tona, dhimbjes tonë për Kosovën dhe provova t’i gjejë do zyre të një agjensioni, që na bashkoi neve, dhjetë artistëve që përmes këngës e vargut ti tregojmë Evropës për Kosovën lënë n’kthetrat e Sllobodanit!
Me shprehen ngushëllime për ty llapjanët dhe folen fjalë miradie! U thashë me çoni të Grilli i pulave të rreshkëta, ku njëfar Nexhi me shokë na priste edhe mbas orarit, vetëm që t’na ushqente pa para!
Me çuan, por s’kishim më gjurmë aty! Nexhi ishte kthye n’Llap e grilli ishte la e shpërla nga yndyra. Mirushin e Ty iu kishte marrë ylberi!
Fola me ty e për ty. Edhe për Mirushin fola rrugëve të pista. Edhe për Zhulalin e Kastriotin. Për të tjerët pak e më pak!
Mos m’përqesh si Shën Pjetri tani që je varë n’rreze dielli, se nuk shkova me matë me ushkur rrugën e t’zezave, por me kujtua nji zyrë agjensioni, ku ti dhe unë shkruanim poezi për koncertin “Kosova djep lirie”!
Asgjë s’kishte pos kujtimeve e rrugëve të mbushura me t’ardhur tjerë, t’ikur nga luftëra tjera!
Agim Doçi, mbrëmë të pashë në Hamburg, Berlin, Mynhen, Londër, Malme, Vjenë, në filmin e Besfortit! Ishe plot jetë e plot liri për Kosovën! Flisje me Bubulinën, Podrimën, me Dritëroin, me Malkolmin, me Anë Mari Lizë… eh me sa e sa flisje e sa e sa vullnet kishe për jetën!
Remziun, vetëm Remziun e gjeta të Merkezi, turku, aty afër asaj zyreje! Edhe Fadilin e gjeta me Besfortin por ata flisnin vetëm për ilaçe e sëmundje!
Ika me vrap, sepse asgjë s’ishte siç ishte njëherë!
Frankfurt, 08.07.2024
ObserverKult
Lexo edhe:
“IKA…SEPSE NUK KAM KOHË TË MERREM ME TY”, LEKA SEFLA LEXON POEZINË E AGIM DOÇIT