Kushtuar dëshmorit Kadri Kokollari
Në Korrik
dielli vonoi së perënduari
nga klithma të huajsh në ikje
teposhtë shkurreve
zvarritur si frika
nëpër flakē zjarresh.
Zemrës së guximshme hovi i shkrepi
e një krismë e huaj
ia përvloi atdheun
strehuar në gji
anës së djathtë të krahërorit
i çeli një gonxhe e arizuar gjaku
si në një ëndërr të bardhë vere
para sysh i lëvizën ngadalë, luginat,
malet rreth e rrotull, shokët, armët
gjithçka ishte e lehtë
sikurse e kuqërremta
e gjetheve në rënie
dhe po mendonte se si ishte e mundur
që muzgu të vinte kaq shpejt
edhe pse e dinte se këtë verë
ditët do të ishin më të ndritshme.
Rrezet pëshpërisin
rruga e luftëtarit
është rojë për ç’do dyshim dhe frikë
qielli i lavdisë
mugullim i praruar vere
kundër errësirës
në duar mbanë diellin.
ObserverKult