Nga: Blerim Valla
Festivali “Gjakova Summer Fest”, edicioni i dytë i organizuar nga violinisti i njohur me përmasa ndërkombëtare, Shkëlzen Doli, si ideator dhe udhëheqës artistik, këtë vit do të mbahet më datat 23, 24 dhe 25 gusht.
Sipas artistit të madh Shkëlzen Doli: “Arsyeja dhe motivimi i mbajtjes së këtij edicioni të festivali është i bazuar nga trashëgimia jonë e pasur artistike, si dhe nga inkurajimi për rikthimin e qytetit të Gjakovës në një pikë destinacioni për turizmin kulturor. Pasi Gjakova si gjithmonë është angazhuar të prezantojë vlerën dhe traditën e saj të veçantë kulturore”.
Kurse sipas muzicientit të njohur Ruzhdi Sadiku, njëri nga organizatorët e këtij festivali, synimi kryesor i mbajtjes së këtij festivali është: “Të kontribuojë në ruajtjen dhe kultivimin e muzikës së pastër shqiptare. Duke mos harruar angazhimin e gjithë stafit organizativ, për stimulimin dhe zhvillimin kulturor, ekonomik dhe politik të Gjakovës dhe të Kosovës”.
Përndryshe në këtë festival sikurse edhe vjet në edicionin e parë, pjesëmarrës do jenë shumë artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, për të festuar në të 3 netët magjike, në zemër të Gjakovës – në Çarshinë e Vjetër.
Në dy ditët e para të festivalit, më 23 dhe më 24 gusht, aktivitetetet muzikore do të mbahen në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, kurse më 25 gusht, aktivitetet poetike dhe muzikore, në parkun kulturor “Ali Podrimja”.
ObserverKult
Lexo edhe: