Lëndimi prej padrejtësisë
Nga mosha 4 deri në 6 vjeç, kur fëmija fillon të kuptojë se është një individ me karakteristikat e veta, mund të ndodhë zgjimi i kësaj plage. Ajo shkaktohet nga prindër shumë kërkues, të cilët mund të kërkojnë më shumë sesa mund të japë ose të përballojë një fëmijë. Të mos qenit në gjendje të shprehet përjetohet me një ndjesi padrejtësie, veçanërisht ndaj prindit të të njëjtit seks. Fëmija vuan nga kritikat që merr, ashpërsia, intoleranca ndaj tij, ftohtësia dhe përshtatja me disa rregulla të sjelljes që kërkon prindi.
Për të shmangur vuajtjet, ai ndalon së perceptuari atë që ndjen, fillon të krijojë një maskë ngurtësie, duke u përpjekur të mos ndjejë atë që ndjen dhe gjithashtu të mos ua tregojë të tjerëve. Ai fillon kështu të shfaqet i ftohtë dhe i pandjeshëm, të kërkojë saktësi dhe drejtësi në çdo gjë, duke u bërë perfeksionist për t’u ndjerë “i drejtë”. Që në moshë të vogël në fakt ka vënë re se vlerësohet për atë që bën më shumë se për atë që është, ndaj bëhet efikas dhe preciz, duke shfaqur pozitivitet dhe optimizëm, për të mos ndjerë vuajtje.
Të jetosh në pakënaqësi
Prandaj, emocioni që personi ndjen më shpesh është zemërimi, veçanërisht ndaj vetvetes, edhe nëse gjëja e parë që ai bën është të sulmojë dikë tjetër. Në mënyrë të pandërgjegjshme ai është i zemëruar me veten e tij, ndoshta sepse nuk i ka vlerësuar gjërat siç duhet, ose për faktin se nuk ka bërë gjënë e duhur. Duke mos e perceptuar atë që ndjen, ai e ka të vështirë ta lejojë veten të dashurohet dhe të lërë gjërat të ndodhin, por edhe të demonstrojë dhe deklarojë dashurinë e tij.
Kjo do të përcaktojë dy lloje të ndryshme të rriturish, që i bashkon megjithatë ndjenja e vazhdueshme që ata përjetojnë: pakënaqësia.
Në rastin e parë, çdo gjë që ata bëjnë do të duhet të jetë e përshtatshme për të kënaqur në mënyrë të pandërgjegjshme prindërit e tyre; në të dytën ata do të perceptojnë se nuk po bëjnë kurrë aq sa duhet për t’i kënaqur ose për t’i bërë të lumtur.
Vështirë se do ta kuptojnë këtë plagë, e para sepse për ta është normale (kështu janë edukuar që në vitet e para të jetës); së dyti sepse të njohësh plagën është si t’u bësh keq prindërve.
Në marrëdhënie ata presin që partneri i tyre të korrespondojë me pritshmëritë e tyre. Ata janë shumë kërkues, nisur nga përkushtimi absolut në çift. Ata gjithmonë veprojnë që të ndihen të drejtë. Për të bërë gjithçka me saktësi, do t’u duhet kohë, e cila gjithmonë do të jetë shumë e shkurtër dhe shpesh do të jetë vonë.
Në fëmijëri e ka përjetuar si problem autoritetin, sepse është detyruar ta pranojë dhe tani e ka frikë; kur i kërkohet diçka, nga frika se mos i besohet, e përjeton atë me një ndjenjë padrejtësie.
Marrëdhëniet me të tjerët
Duke dashur gjithmonë të ketë të drejtë, ai i kushton shumë rëndësi “gjërave të merituara”. Në fakt, ai përpiqet të shmangë marrjen e shpërblimit që beson se është i pamerituar, ashtu siç vërehet shpejt kur dikush, sipas tij, nuk e meriton vëmendjen apo shpërblimet që merr. Pikërisht për shkak të ndjenjës së fortë të padrejtësisë, ai shpesh tërheq në jetën e tij situata që i konsideron të padrejta, edhe brenda familjes. Vetë ngurtësia e tij do të thotë që ai gjithmonë do të bëjë më shumë se të tjerët që, përkundrazi, do të priren të lajnë duart. Vetëm shërimi i plagës do të lejojë që situata të tilla të fillojnë të pakësohen ose të zhduken nga jeta e tij. Ai duhet të mbajë gjithçka në rregull, madje mund të bëhet obsesiv në përpjekjen për të mbajtur gjithçka sipas kritereve të veta.
Gjithmonë mundohet t’i mbajë gjërat nën kontroll që të jenë “të drejta”… siç do ai. Duke i imponuar vetes shumë detyra, shpesh ngurtësia theksohet sepse të jesh perfekt në çdo gjë nuk është e lehtë. Ai ka një aftësi të madhe për të mos ndjerë dhimbje, kështu që vazhdon pafundësisht, dhe rrallë është i sëmurë dhe nëse është, e vëren vetëm kur gjendja përkeqësohet.
Maska reflektohet edhe në trup
Ngurtësia tipike e individit e bën atë të ftohtë si në ton ashtu edhe në lëvizje. Ashtu si qëndrimi, edhe trupi bëhet i ngurtë. Kjo maskë i bën ata që vuajnë prej saj, perfeksionistë të mëdhenj; I bën të përjetojnë zemërim, padurim, kritikë dhe intolerancë ndaj vetvetes.
Personi është shumë kërkues dhe nuk respekton kufijtë e tij. Sa herë që e mban veten nën kontroll, përmbahet ose tregohet i ashpër ndaj vetes, është shenjë se ka vendosur maskën e ngurtësisë. Prandaj, trupi bëhet i drejtë dhe jo fleksibël. Ai është gjithashtu i ngurtë në lëvizjet e tij, madje mund t’i shtrëngojë këmbët dhe t’i rreshtojë me trupin. Kur kryqëzon këmbët dhe krahët, është për të mos ndjerë se çfarë po ndodh, dhe kur shtrëngon nofullën është për të mbajtur zemërimin.
Sidoqoftë, vështrimi i tij është i gjallë dhe i ndritshëm. Ai është i padrejtë me veten sepse kritikon veten dhe e ka të vështirë të shohë cilësitë e veta pozitive dhe gjërat e mira që bën. Ai vuan sepse sheh vetëm atë që nuk është bërë, ose vetëm gabimin e bërë. Ai priret të vuajë duke pasur vështirësi për t’i dhënë vetes gjërat që i japin kënaqësi.
Konkluzione
Ne duhet të pranojmë se askush nuk është i përsosur, madje as ne vetë; nuk ka asgjë të keqe të njohësh kufijtë e tu, të kërkosh dhe të pranosh ndihmë dhe të kesh njohjen e duhur. Lëndimi nga padrejtësia fillon të shërohet pasi personi i ngurtë i lejon vetes të jetë më pak perfeksionist, të bëjë gabime, të tregojë anën e tij më të brishtë, duke qarë ose duke kërkuar ndihmë, pa e gjykuar veten ose pa patur frikë se mos gjykohet dhe pa patur frikë se do të humbasë kontrollin./bota.al
ObserverKult
Lexo edhe:
Silvana Kola-Loka: Fëmijët kanë nevojë për prindër që gabojnë
Nuk kanë ndryshuar të rinjtë, por prindërit. U ngulisin ide të gabuara fëmijëve!