Nga sot deri më 5 shtator mbahen “Ditët e Nënë Terezës”- ja aktivitetet që organizohen në Prishtinë

Nënë Tereza

Ipeshkëvia Prizren – Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, sot, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së Shën Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, që zgjasin deri më 5 shtator.

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, e shenjta Nënë Tereza sot ka datën e lindjes. E lindur 114 vjet më parë në Shkup, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu, e njohur më vonë si Shën Tereza, vazhdon të mbetet një nga personalitetet më të njohura shqiptare në gjithë botën.

Nënë Tereza është nderuar me çmimet dhe nderimet më të larta, duke përfshirë: në vitin 1962 çmimin e paqes “Ramon Magsaysay” dhe 1979 çmimin “Nobel për Paqe”.

Më 19 tetor 2003, ajo u lumturua dhe u quajt “Tereza e Bekuar e Kalkutës”. E për t’u kanonizuar në shenjtore, asaj i duhej t’i njihej një mrekulli e dytë, në bazë të rregullave të kishës katolike.

Një mrekulli e dytë i është njohur nga Papa Françesku, në dhjetor të vitit 2015, duke i hapur rrugën që ajo të shpallet e shenjtë nga Kisha Katolike e Romës. Kanonizimi i saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj 5 shtator, ku njihet edhe si dita e saj e festës.

Aktivitetet që do të mbahen sot për nder të Shën Terezës

-Shoqatat “Organizata Shqiptaria” dhe “Artistët për Artistë”, hapin ekspozitën për nder të ditëlindjes së Shenjtores Nënë Tereza. (Sheshi “Nënë Tereza”, Prishtinë, ora 12:00-18:00)

-Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon edicionin e katër të manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Ditët e Gonxhës”, që përkon me 114-vjetorin e lindjes dhe 27-vjetorin e vdekjes së Nënës Terezë. (Sheshi Nënë Tereza, Prishtinë, ora 13:00)

-Ipeshkëvia Prizren-Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, organizon Akademi Solemne me rastin e ditëlindjes së Shën Nënë Terezës me të cilën hap “Ditët e Nënë Terezës”, Manifestimi mbahet në Qendrën Bogdani Polis, në Prishtinë, dhe fillon në orën 19:00./zeri

ObserverKult


Lexo edhe:

VIZITA E NËNË TEREZËS NË SHQIPËRI; NGA TAKIMI ME AT ZEF PLLUMIN, TEK BEKIMI I LYPSAVE (FOTO TË RRALLA)