Roberto Bolano: Letërsia në thelb më ka shërbyer për të lexuar!

bolano

ROBERTO BOLANJO PËR LETËRSINË

– Ç’është letërsia për ju?

– Mund t’ju jepja një përgjigje poetike: “Për të mos vdekur”. Por është false, sepse, edhe nëse nuk do të kisha zgjedhur letërsinë, unë do të vazhdoja të isha gjallë dhe ndoshta me shëndet më të mirë. Letërsia në thelb më ka shërbyer për të lexuar. Në momentin që vendosa të jem shkrimtar, iu futa leximit. Dhe falë letërsisë kam mundur të lexoj libra të mrekullueshëm, të pabesueshëm, ishte si të kisha gjetur thesare.
Dhe në jetën time, e cila ka qenë mjaft nomade dhe në disa raste jashtëzakonisht e varfër, leximi ka kompensuar atë varfëri dhe ka qenë sovraniteti im, eleganca ime. Mund të ndodhesha në çdo situatë dhe nëse lexoja Horacion, për shembull, ai që ishte duke jetuar përtej mundësive të tij, isha unë, gjithmonë.
Letërsia më ka dhënë pasuri. Është pasuri. Letërsia nuk bëhet vetëm me fjalë. Borhes thotë se ka autorë të papërkthyeshëm. Mendoj se e ka fjalën për shkrimtarin e shquar spanjoll, Francisco Gómez de Quevedo. Mund t’i shtohet edhe Garsíia Lorka ose edhe të tjerë.
Pavarësisht kësaj, një vepër si Don Kishoti mund ta përballonte edhe përkthyesi më i keq.
Për më tepër, ajo mund të përballojë edhe gjymtimin, edhe humbjen e faqeve të shumta. Edhe një përkthim i keq, jo i plotë dhe që e ka dëmtuar këtë vepër, pra edhe një version i tillë i Don Kishotit, mund t’i thotë shumë një kinezi apo një afrikani. Ja pra, pa asnjë dyshim, kjo është letërsi. Ndoshta letërsia, gjatë rrugës humbet shumë gjëra. Sigurisht, por mbase ky ishte fati i saj. Diçka do të arrijë.

Shënim: Roberto Bolanjo (1953 – 2003) – Shkrimtar dhe poet kilian. Iku nga vendlindja që kur ishte ende djalosh i ri duke u endur nëpër Amerikën Latine. U vendos për disa vite në Meksikë dhe më vonë emigroi në Spanjë (Katalunja), ku jetonte e ëma. Aty bëri punët më të rëndomta, vjelës rrushi gjatë verës, roje nate nëpër kampingje, shitës nëpër lagje, etj., derisa iu kushtua përfundimisht letërsisë. Bolanjo është autor që pranohet si një nga risitë më të mëdha të letërsisë dhe si një nga talentet që fati e mori shumë shpejt. Romani i tij “Detektivët e egër”, përkthyer edhe në shqip, ka marrë çmimin Heralde (1988) dhe atë Romulo Gallego (1999). Pas vdekjes, Bolanjo u bë një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjuhës spanjolle. Është futur në 15 vendet e para të listës me 81 shkrimtarë dhe kritikë latinoamerikanë e spanjollë me njëqind librat më të mirë të tyre në gjuhën kastejano për 25 vitet e fundit.

Përktheu Bajram Karabolli

ObserverKult

Lexo edhe:

Roberto Bolaño: Pas një mijë vitesh asgjë s’ka për të mbetur

Roberto Bolano: Shiu