Recension për librin “Gjuha, letërsia dhe filmi” të autorit Enver S. MORINA, botuar nga Littera, Prishtinë, 2024
Nga Bashkim Hoxha
Libri me 15 intervista nga Enver S. Morina është një kontribut me vlerë në trajtimin e problematikave të letërsisë dhe arteve, por mbi të gjitha, plotëson informacionin e munguar të historisë së vonët të letërsisë dhe arteve këndej dhe andej Drinit.
E veçanta e këtij libri është sepse janë vet protagonistët e letërsisë dhe arteve që flasin duke na sjellë jo vetëm informacione të bollshme, por edhe këndvështrimet e tyre personale duke zbërthyer procesin krijues dhe historinë e vonët të letërsisë dhe arteve nga pozicione të ndryshme. Në këtë mënyrë “kamerat” na zbulojnë të gjithë shesh-betejën e krijuesve në përpjekjet e tyre të mundimshme për të ngritur monumentin e artit e letërsisë shqipe.
Ky libër vet është një vlerë shtesë mbi kontributet e shquara që kanë dhënë personalitetet e shquara që janë intervistuar. Përveç krijimeve që analizohen në dialog me autorin e intervistave, ne kemi mundësinë të njihemi edhe me mendimet e tyre të çmuara.
Intervistat e Enver S. Morinës janë interesante, ato janë gjithëpërfshirëse, e shikojnë artin dhe letërsinë shqipe si një të tërë, pavarësisht specifikave dalluese që kanë kur në mes tyre kalon Drini.
15 personalitetet e përzgjedhur për këtë botim janë ndër kontribuuesit më me vlerë dhe këto intervista janë një dëshmi e plotë se me çfarë problematikash është ndeshur kultura shqiptare për të ruajtur identitetin në luftë me tepritë e kohës, siç kanë qenë skemat statike të realizmit socialist apo presioni për ta globalizuar duke i hequr AND-në e veçorive të shqiptarisë në këto shkrime.
Autori ka ditur të përzgjedhë njerëz që kanë çfarë të thonë.
Ata kanë folur së pari me veprën e tyre, më pas me shprehjen e botëkuptimeve të tyre dhe të përvojave, gjë që ka krijuar një gjerdan informacioni shumë të rëndësishëm.
Mjafton të listojmë emrat e tyre, problematikat që janë trajtuar, prezantimin e përmbajtjes së intervistave nga autori, dhe të kuptojmë se sa i dobishëm dhe në kohën e vet është ky libër.
ObserverKult
Lexo edhe:
LITTERA SJELL PËR LEXUESIT LIBRIN “GJUHA, LETËRSIA DHE FILMI” TË ENVER S. MORINËS